Vaksinat, kostoja e gripit 10 milionë euro
Për të vaksinuar 25 për qind të popullsisë, ashtu siç kërkohet edhe nga direktivat e Institutit të Shëndetit Publik, duhen mesatarisht 10 milionë euro. Ky është parashikimi i kryer nga strukturat e shëndetësisë, për pjesën e vaksinimit, si një nga masat kryesore që lipsen për parandalimin e pandemisë së gripit të derrave. Mjekët infeksionistë kanë paralajmëruar se duke nisur nga muaji shtator do të kemi një rritje të numrit të personave që mund të preken nga virusi i gripit AH1N1. Sipas përllogaritjeve, për të përballuar një pandemi të mundshme në Shqipëri do të duheshin rreth 10 milionë euro vetëm për sa i takon maskimit të rreth 25 për qind e popullatës. Sipas përfaqësuesve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, parashikohet që 1 në 4 persona të preken nga ky virus, ose 20-25 për qind e popullsisë. Në rast të një pandemie në Shqipëri, kosto do të kapërcente mbi 10 milionë euro vetëm për blerjen e vaksinave. Deri më tani mësohet se Shqipëria ka porositur vetëm 300 mijë vaksina, të cilat do të shkojnë për vaksinimin e 10 për qind të popullsisë. Kosto e blerjes së tyre është afërsisht 5 milionë euro. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, sot në vend ka një stok prej 5 mijë dozash tamiflu dhe pritet të porositen edhe 10 mijë të tjera. Rreth 3 mijë doza vaksinash, të cilat ruheshin si stok pranë institucioneve shëndetësore, tashmë janë verifikuar si të skaduara. Ato nuk do të përdoren, por do të eliminohen si pasojë e kalimit të afatit të skadencës. Këta preparate janë blerë më shumë se dy vjet më parë nga shëndetësia shqiptare, si pjesë e masave të parandalimit për gripin e shpendëve. Ndërkaq, rastet e prekura deri tani nga virusi i gripit të derrave janë trajtuar në shtëpi, ku kanë marrë trajtimin sipas këshillave dhe sugjerimeve të personelit shëndetësor. Sakaq, departamenti i epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik është ende në pritje të rezultateve nga Rumania për konfirmim ose jo të 11 personave që dyshohen se janë prekur nga gripi i derrit.
Sipas mjekëve, mësohen se 8 prej këtyre të sëmurëve nuk kanë udhëtuar jashtë vendit, por kanë qëndruar në Shqipëri, çka dëshmon për një përhapje të virusit brenda vendit.
Mosha e personave që dyshohet se janë prekur nga ky virus është 25 deri në 44 vjeç. Deri tani rastet e paraqitura në vendin tonë janë të gradës së lehtë dhe mesatare. Ende nuk ka të dhëna se gripi ka prekur moshat e vogla, duke përfshirë moshën nga 0-13 vjeç.
Sipas mjekëve, mësohen se 8 prej këtyre të sëmurëve nuk kanë udhëtuar jashtë vendit, por kanë qëndruar në Shqipëri, çka dëshmon për një përhapje të virusit brenda vendit.
Mosha e personave që dyshohet se janë prekur nga ky virus është 25 deri në 44 vjeç. Deri tani rastet e paraqitura në vendin tonë janë të gradës së lehtë dhe mesatare. Ende nuk ka të dhëna se gripi ka prekur moshat e vogla, duke përfshirë moshën nga 0-13 vjeç.