E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta e shtrenjtë, protesta në Evropë

Protestat kundër çmimit të lartë të karburanteve janë përhapur në shumë vende të Evropës dhe mijëra peshkatarë janë hedhur në grevë. Liderët e sindikatave thanë se tërë flota detare ka qëndruar në port të premten, ndërsa në Spanjë, 7 mijë peshkatarë kanë protestuar para Ministrisë së Bujqësisë. Peshkatarët francezë kanë javë të tëra që protestojnë, ndërsa kolegët e tyre belgë dhe italianë, u janë bashkuar dje. Shoferët e kamionëve në Britaninë e Madhe dhe Holandë, kanë zhvilluar protesta të ngjashme në fillim të javës. Protestat reflektojnë zemërimin ndaj rritjes së çmimit të karburanteve në një kohë kur një fuçi naftë shitet në bursa me mbi 130 dollarë. Sindikatat thonë se kostoja e naftës është bërë ekstremisht e lartë, pasi është rritur me 300 për qind gjatë pesë viteve të shkuara. E ndërkohë që ndodh një gjë e tillë, çmimet e peshqve kanë qëndruar statike për plot 20 vitet e fundit. Liderët e sindikatave të peshkatarëve nga Franca, Spanja dhe Italia, janë takuar në Paris për të koordinuar grevat dhe protestat gjatë tri javëve të fundit në prag edhe të një takimi të ministrave të peshkimit të vendeve të Bashkimit Evropian. Protestuesit po kërkojnë një ndihmë të menjëhershme për industrinë e peshkimit, kombinuar me subvencione të mëtejshme. Komisioni Evropian ka bërë të ditur në një deklaratë për shtyp se do të donte të tregonte fleksibilitet ndaj kësaj industrie, por ka përjashtuar mundësinë e subvencioneve si kompensim për koston në rritje të karburanteve. Paketa ndihme afatshkurtra janë të pranueshme për sa kohë që ato përdoren për të luftuar deficencat strukturore të sektorit të peshkimit, theksonte deklarata. Disa mijëra peshkatarë marshuan para Ministrisë së Bujqësisë në Madrid, ku ata shpërndanë 20 tonë peshk për publikun në përpjekje për të tërhequr vëmendjen drejt industrisë së tyre që po kalon momente me të vërtetë të vështira. Sindikatat kërcënojnë se mund të bllokojnë edhe portet, një ditë pasi policia franceze shpërndau me forcë peshkatarët që kishin bllokuar depozitat e naftës. "Ne duhet të mobilizohemi ashtu si edhe francezët. Në rast se do të duhet të bllokojmë portet, do ta bëjmë këtë", thotë një peshkatar spanjoll. Ndërkohë, në Francë, autoritetet kanë ofruar 100 milionë euro ndihma, duke bërë që disa peshkatarë t‘i rikthehen punës. Por para se të arrihej kjo, policia franceze ishte përleshur me peshkatarët në zona të ndryshme. Ndërkohë, edhe qindra fermerë kanë bllokuar terminalet e naftës në afërsi të qyteteve Dijon dhe Tuluzë. Në anën tjetër në Itali, rreth 5 mijë peshkatarë vazhdojnë grevën, ndërsa qeveria ka refuzuar ndihmat emergjente për industrinë. Shumë peshkatarë, gjithsesi, po presin të shikojnë zhvillimet e situatës dhe në portet në Adriatik, reagimi ka qenë i përzierë. Në Portugali asnjë anije peshkimi nuk ka dalë në det dhe peshkatarët madje ngritën barriera për të pezulluar punën. Shoferët bullgarë të autobusëve, për më tepër, kanë planifikuar një grevë, pas asaj të shoferëve të kamionëve, të enjten.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›