E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shefi i CIA-s deklaron: Al-Kaeda po mundet

Shefi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, CIA, ka thënë se Al-Kaeda është mundur plotësisht në Irak dhe Arabinë Saudite, ndërkohë që po përpiqet të mbrojë veten në vende të tjera. Komentet e Majkëll Hajdenit, që korrespondentët i përshkruajnë si tepër optimiste, vijnë më pak se një vit pasi CIA kishte paralajmëruar për ringritjen e Al-Kaedës. Hajden tha për "Washington Post", se sukseset e Shteteve të Bashkuara në fushën e antiterrorizmit, ishin shtrirë tashmë edhe në kufirin afgano-pakistanez. Lideri i Al-Kaedës, Osama Bin Laden, mendohet se është fshehur në atë zonë. "Nëse do të bëjmë një analizë të plotë, do të shihnim se kemi bërë hapa pozitivë përpara", tha drejtori i CIA-s. "Jemi pranë mundjes strategjike të Al-Kaedës në Irak, pranë mundjes së organizatës në Arabinë Saudite dhe goditje të rënda për Al-Kaedën në shkallë globale", tha ai. Hajden tha se kapja apo vrasja e Bin Ladenit dhe zëvendësit të tij, Ayman al-Zavahiri, mbetej një prioritet kryesor. "Kemi aftësinë për të vrarë apo kapur anëtarë kryesorë të Al-Kaedës dhe kjo i mban ata nën presion. Ata jetojnë me frikë edhe në parajsën e sigurt përgjatë kufirit afgano-pakistanez", tha Hajden. Gjithsesi, shefi i CIA-s paralajmëroi kundër vetëkënaqësisë, që sipas tij mund të ndalte apo të përmbyste çdo progres. Vetëm dy vjet më parë, CIA paralajmëroi se grupi militant islamik po shfrytëzonte luftën në Irak si një propagandë të suksesshme dhe instrument marketingu. Por, tani, Hajden thotë se Al-Kaeda po e humbet betejën për të "fituar" zemrat dhe mendjet në botën islame. Ai shtoi se po rritej pa u ndalur zemërimi i publikut kundrejt xhihadizmit dhe e cilësoi rebelimin në Irak si një luftë të Al-Kaedës kundër irakianëve. "Pavarësisht të gjithë faktorëve, thellë-thellë, askush, asnjëherë, nuk e ka pëlqyer vizionin e Al-Kaedës, për të ardhmen", tha Hajden. Ai përgëzoi kompetencat në rritje të ushtrisë irakiane në luftën kundër grupeve ekstremiste, por, paralajmëroi se progresi në Irak mund të dëmtohej seriozisht nga interferenca e Iranit. SHBA akuzon Teheranin se po financon, armatos dhe po trajnon rebelët. "Është politika e qeverisë iraniane, e miratuar madje në nivelet më të larta të asaj qeverie, ajo që e bën më të lehtë vrasjen e amerikanëve apo forcave të tjera të koalicionit në Irak", tha Hajden.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›