Nafta është fuqi që mban botën dhe jo më, të mos mbajë veten!
Këto kohët e fundit “Albpetrol” po përballet me kundërshtimin e drejtë të punëtorëve të naftës që i ka planëzuar në kuadrin e reformës për t’i shkurtuar. Në fakt, një veprim i tillë nuk do konsideruar reformim por deformim, sepse nuk ka të bëjë me ecje, por me ngecje.
Është fakt se “Albpetroli” këto dy dekadat e fundit pothuajse ka ngecur në fushën e zbulimit të rezervave të reja, sidomos, por dhe në drejtim të nxjerrjes. Një gjë e tillë mendojmë se ka ardhur si rezultat i keqmenaxhimit, si dhe i strategjisë së gabuar se naftën (nënproduktet e saj) është më mirë që ta importojmë (85%) sesa ta prodhojmë (25%).
Të shkurtosh punëtorët që kanë një eksperiencë disa dekadash dhe që kanë lidhur jetën e tyre e të familjes së tyre me naftën, na duket pa kuptim. Si ka mundësi që në kohën kur çmimet e naftës po shkojnë në stratosferë të shkurtosh punonjësit e naftës?! Si ka mundësi që kompania ARMO që furnizohet me lëndë të parë nga “Albpetroli” ka siguruar një fitim prej 10 milionë euro, dhe “Albpetroli”-furnizues me lëndë të parë, planëzon shkurtime?!
Boll shkurtuat inxhinierë, teknikë, punëtorë dhe shkencëtarë duke i hedhur në rrugët e emigracionit. Nafta është pasuri e shqiptarëve, dhe faktet kanë treguar se ata dinë ta gjejnë e ta shfrytëzojnë por u mungojnë aktualisht investimet. Ata që kanë interes të investojnë janë të respektuar por njëkohësisht edhe ne kërkojmë respekt, drejtësi duke zbatuar paradigmën bashkëkohore fitim-fitim.
Industria e Naftës duhet të mbajë ekonominë dhe shtetin dhe jo të diskutojë mbajtjen e punëtorëve të saj. Kjo është një situatë mjerane! Për ilustrim, themi se gjatë luftës që bëri Kroacia me Serbinë e Millosheviçit, kompania kroate e naftës, INA-Naftaplin suportoi gjithë barrën e luftës. Nafta është fuqi që mban botën dhe jo mos të mbajë veten!