Një fjalë e urtë thotë: Këshillën më të mirë e jep përvoja
Për çështjen më vitale, atë të pronave, Qeveria në fillim krijoi Komisionin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ku çdo kërkues duhet të paraqiste një sërë dokumentesh, për të cilat duhej shpenzuar edhe një xhep me para. Pas ca kohësh, këtë komision e kthyen në Agjenci, duke kërkuar përsëri dokumente e përsëri para. Doemos, me se do të mbahen të ashtuquajturat zyra, që më tepër i përcjellin sesa i presin kërkuesit e ligjshëm të pronave. Dhe përsëri tunden e shkunden xhepat e shkundur.
Kalojnë kështu muaj e vite dhe ne tani presim që Agjencia të pagëzohet me një emër të ri ...; por nuk duhet harruar se po nuk kaloi prona tek i zoti, nuk rregullohet ky vend. Nuk shtyhen vjetët, duke gënjyer e duke rrëmbyer. Së fundmi, në vokabularin e pronave kanë futur edhe një fjalë të re, atë e kanë quajtur “ALUIZNI”. Me siguri do të dëgjojmë e do të mësojmë shumë fjalë të reja në cirkun e pronave, sepse kështu turbullohen më mirë mendjet e njerëzve.
Një fjalë e urtë thotë: “Këshillën më të mirë e jep përvoja”. Cila është këshilla që u jep përvoja komuniste disa drejtuesve në ndërtimin e ekonomisë së tregut, ku prona private e vërtetë (jo e rrëmbyer) është e shenjtë dhe e paprekshme? Ç’është ky i famshmi Ligj i Legalizimit?
Legalizim, do të thotë të bësh të ligjshëm ilegalen, ose e thënë shqip: diçka të grabitur ta njohësh me ligj. Kjo nuk e frenon grabitjen, por e nxit atë. Në një vend me të vërtetë demokratik, prona private është e paprekshme. Nëse dikush ndërton pa leje në truallin e tjetrit, shteti jo vetëm që ia prish, por e ndjek ligjërisht atë.
Është për t’u shënuar se, në shumë raste, për pak metra tokë të grabitur është derdhur gjak. Po për grabitjen e qindra mijëra m2 tokë, ç’mund të ndodhë?