"Thera nënën sepse më rrihte kur isha i vogël"
DËSHMIA
TIRANË- “Rrëfehet” para oficerëve të policisë gjyqësore nga dhoma e reanimacionit i Spitalit Ushtarak 32 vjeçar Elvin Mejdani, i cili dy ditë më parë qëlloi me thikë nënën e tij dhe më pas vetën duke tentuar vetëvrasjen. Burimet pranë Prokurorisë së kryeqytetit bënë të ditur për “Shekullin” se i riu vuante nga shqetësimet depresive dhe që kishte filluar të mjekohej për këtë sëmundje të shfaqur pak muaj më parë. “Arsyeja që shtetasi Elvin Mejdani e kishte qëlluar nënën e tij Katina Mejdani, sipas dëshmisë së djalit ka qenë grindja e tyre pak minuta para ngjarjes si dhe dhuna që nëna e tij kishte ushtruar në kohën kur ky ishte i vogël”-thuhet nga burimet. Gjithashtu, mësohet se gjatë marrjes në pyetje ai ka shfaqur shenja depresive dhe agresivitetit, duke shfryrë “dufin” ndaj nënës së tij. “Ajo më ka rrahur kur isha më i vogël dhe nuk më linte të bëja atë që doja. Edhe sot që unë jam bërë burrë ajo donte të më mbante nën kontroll. Unë nuk doja që të më rrihte sërish dhe e qëllova”,-mësohet të ketë thënë i vetë plagosuri Elvin Mejdani para oficerëve. Këta të fundit mësohet se në procesverbalin e marrjes në pyetje, kishin fiksuar edhe lëvizjet e tija të pa kontrolluara që sipas tyre dukej qartë gjendja depresive e tij që kalonte hera herës në agresivitet. Sipas burimeve nga prokuroria mësohet se është kërkuar nga ekspertët psikiatrik t’i bëhet një akt-ekspertim psikik për të parë gjendjen e tij shëndetësore pasi ka shenja të theksuara depresive. Gjithashtu, gjatë marrjes në pyetje mësohet se 30 vjeçar është shprehur se “pak minuta para se ta qëlloja me thikë nënën, u zura me të për shkak se unë doja të dilja dhe ajo nuk më linte”. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e së dielës në rrugën “Labinoti”, në pallatin nr.4, pranë ish-Drejtorisë së Tatimeve, kur pas një grindje mes tyre Elvin Mejdani plagosi të ëmën me thikë dhe më pas tentoi të vrasë veten me mjetin prerës ku kanë përfunduar më pas në Spitalin Ushtarak në gjendje të rëndë. Sipas prokurorisë, gjithçka ka ndodhur pas grindjes mes nënës me të birin, ku ky i fundit ka rrëmbyer thikën duke qëlluar të ëmën në bark dhe në shpinë. Më pas, në kushtet e një depresioni psikik, pasi ka parë të ëmën e rrëzuar përtokë dhe të gjakosur, djali i saj Elvin ka goditur veten me thikë për t’u vetëvrarë. Pak minuta pas ngjarjes nënë e bir janë gjetur në gjendje të rëndë si pasojë e plagëve të marra por që tashmë ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në dhomën e tyre të ndenjës, fare pranë trupit të Elvin Medjanit policia gjeti dhe sekuestroi thikën me të cilën është kryer krimi. Pritet që gjatë këtyre dy ditëve i riu të dal para Gjykatës së Shkallës së Parë për tu vlerësuar arresti dhe caktimi i masës së sigurisë, ku ndaj tij janë ngritur dyshimet e kryerjes së veprës penale të “vrasjes me dashje”.