E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta rrit inflacionin në Shqipëri

Nga Express më 21 maj 2011 në ora 21:02

Banka e Shqipërisë raporton rritje të inflacionit gjatë vitit 2011, i cili duket se do të vijojë të rritet edhe në muajt në vazhdim.

Burime zyrtare nga BSH-ja bëjnë të ditur se gjatë muajit mars, inflacioni arriti në 4.3%. Ndërsa mesatarisht, gjatë tremujorit të parë të vitit 2011, inflacioni rezultoi 4.0%, duke qëndruar një pikë përqindje mbi objektivin afatmesëm për inflacionin.

Gjatë këtij tremujori, inflacioni reflektoi rritjen e lartë të çmimeve të disa produkteve ushqimore, rritjen e mëtejshme të çmimit të naftës, si dhe rritjen e çmimit të barnave mjekësore. Presionet inflacioniste u forcuan gjatë tremujorit të parë të vitit 2011.

Banka e Shqipërisë vlerëson se politikat në nxitje të prodhimit të brendshëm, që ulin ekspozimin e ekonomisë shqiptare ndaj goditjeve të jashtme, përbëjnë një domosdoshmëri.

Inflacioni vjetor i sektorit të mallrave të tregtueshme në tremujorin e parë të vitit 2011, rezultoi 4.9% duke shpjeguar rreth 75% të shifrës së inflacionit total.

Shkaqet kryesore për këtë sjellje, sipas Bankës së Shqipërisë, kanë qenë koniunktura e rënduar aktuale dhe e pritshme për çmimet e lëndëve të para, situata e pazakontë gjeopolitike në ekonomitë e rëndësishme prodhuese të naftës dhe të produkteve agroindustriale, si dhe kushtet e pafavorshme të motit, të cilat kanë dëmtuar produktet bujqësore.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›