Nafta, tregu monopol
Flet kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Milo: Tregu i naftës është i kufizuar dhe konkurrenca shtrembërohet. Masa për hapjen e konkurrencës
Duket se çmimet e larta të shitjes së naftës në bursat ndërkombëtare nuk është faktori i vetëm i cili ndikon në përcjelljen e çmimeve të larta në tregun e pakicës. Shkaku i kësaj situate është mungesa e konkurrencës në tregun e shumicës, ku ka shenja kufizimi. E gjitha kjo ka ndikuar në rritjen e çmimit të naftës në vend në mënyrë artificiale. Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Milo, tha për gazetën “Korrieri”, se nga kontrollet e ushtruara deri tani në sektorin e energjisë dhe veçanërisht tek tregu i karburanteve, është konstatuar se ka shtrembërim të konkurrencës. Por, nga ana tjetër, kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës duke qenë skeptike në dhënien e rezultateve paraprake, pohon se përfundimi i kontrollit parashikon edhe masa për liberalizim të tregut. “Nga hetimi i përgjithshëm që i është sektorit të energjisë, atij të gazit e tregut të karburanteve, veçanërisht në këtë të fundit janë konstatuar shenja kufizimi dhe shtrembërimi të konkurrencës. Tregu i hidrokarbureve ka qenë dhe do të mbetet në axhendën kryesore të punës së Autoritetit të Konkurrencës, për shkak të një konkurrence të pamjaftueshme, në mënyrë të veçantë në tregun e shumicës, për shkak të përqendrimit të lartë në këtë treg”, pohon Milo, duke shtuar se shumë shpejt do të bëhen publike rezultatet e kontrollit, si edhe për hapjen e konkurrencës së tregut. Ekzistenca monopoliste e krijuar nga importuesit mbetet dhe një nga arsyet kryesore për çmimet e larta të shitjes së karburanteve. Vetëm pak ditë më parë, çmimet e karburanteve në vend u rritën me 3 deri në 5 lekë për litër. Importuesit pohojnë se kjo vjen si rezultat i rritjes së çmimit të naftës në bursat ndërkombëtarë, por kur ka ndodhur e kundërta, kjo nuk është reflektuar në tregun shqiptar. Sakaq, Autoriteti i Konkurrencës ka dërguar pranë komisionit parlamentar raportin vjetor për vitin 2007. Në raport thuhet se hetimi i përgjithshëm në sektorin e energjisë mbetet sfida kryesore e autoritetit për këtë vit, dhe kjo për shkak të zhvillimeve të pritshme të privatizimeve dhe liberalizimit në sektorin e energjisë elektrike. Për këtë, Autoriteti i Konkurrencës në bashkëpunim me Entin Rregullator të Energjisë ka dhënë rekomandimet përkatëse në drejtim të liberalizimit të sektorit të prodhimit dhe të shpërndarjes së energjisë elektrike, ashtu dhe siç ka kërkuar një orientim drejt tregut të tarifave të energjisë elektrike. Po ashtu, një zhvillim i pritshëm dhe shumë i rëndësishëm për vitin 2008 do të jetë ndërtimi i një matrice me të dhëna historike përkatëse për sektorët e ekonomisë. Kjo do të shërbejë si bazë për monitorimin e fenomeneve antikonkurruese dhe do të jetë në funksion të proceseve hetimore që do të ndërmarrë Autoriteti i Konkurrencës. Prodhuesit fiksojnë çmimet e bukës Nuk është vetëm tregu i shitjes së karburanteve që reflekton mungesën e konkurrencës dhe fiksimin e çmimeve. Një tjetër sektor problematik është dhe ai i shitjes së bukës. Autoriteti i Konkurrencës shprehet që edhe në këtë sektor ka fiksim të çmimeve dhe mungesë konkurrence. Sipas raportit të Autoritetit të Konkurrencës, në rrethin e Fierit është trajtuar një marrëveshje e ndaluar midis prodhuesve të vegjël të bukës. Sipas Autoritetit të Konkurrencës, nga këta të fundit fiksohej çmimi i shitjes së bukës masive në 100 lekë dhe rriteshin çmimet e llojeve të tjera të bukës me rreth 17 për qind. Kjo marrëveshje ka hyrë në fuqi në muajin gusht të vitit të kaluar dhe përbën shkelje të rëndë të konkurrencës, pasi fiksohet çmimi i shitjes. Po ashtu, gjatë procedurave hetimore, seancës dëgjimore dhe deklaratave të vetë kryetarit të shoqatës, Kajo Hallka, është konstatuar se ai është nxitësi dhe organizatori i kësaj marrëveshjeje. Për këtë arsye, Komisioni i Konkurrencës vendosi marrjen e masës së gjobës ndaj kryetarit të shoqatës në masën 30 mijë lekë të reja.