"Skifteri" italian kap drogë shqiptare
Një operacion i policise italiane dergoi ne qeli nje grup prej 18 shqiptaresh te implikuar ne trafik lendesh narkotike
Jo pak, por 18 shqiptarë të arrestuar dhe një sasi lënde narkotike që vlerësohet në shumën e 5 milionë eurove është rezultati i një operacioni të kryer dje nga policia italiane. Drejtoria Investigative Antimafia (DIA) e Barit arrestoi dje 21 persona, në kuadër të operacionit të koduar “Skifteri”, si dhe sekuestroi heroinë të ardhur nga Shqipëria, kokainë dhe ekstazi. Emri i operacionit të mbyllur mëngjesin e djeshëm ishte i vendosur në shqip, “Skifteri”, dhe duket se kishte të bënte me faktin se pjesa më e madhe e personave të vënë në hetim dhe të arrestuar dje ishin shqiptarë. Sipas mediave italiane, të paktën 18 shqiptarë u arrestuan, ndërsa tre të tjerë të përfshirë në narkotrafikun ndërkombëtar ishin shtetas italianë. Emrat e 18 shqiptarëve të vënë në pranga nuk u bënë të ditur dje për median. Gjeografia e arrestimeve përfshiu jo vetëm jugun e Italisë, ku nisën hetimet për organizatën shqiptare të narkotrafikut, por dhe Romën, Padovën, Firencën, Pezaron, Ankonën dhe Peruxhian. Kanali i furnizimit me kokainë dyshohet se ishte Amsterdami dhe Roterdami në Holandë, dhe si shitblerja, ashtu dhe transporti i lëndës narkotike, bëhej nga shqiptarë, të cilët kalonin nga veriu i Italisë drejt jugut, e më pas dyshohet se edhe në Greqi. Droga në Itali po arrin muajt e fundit po nëpërmjet detit dhe më së shumti nëpërmjet anijeve të pasagjerëve dhe mallrave. Pas mbërritjes së lëndës narkotike në vendin fqinj, në zonën e Pulias, të tjerë shqiptarë merreshin me shpërndarjen. Ndërsa sipas medias italiane, heroina vinte nga Shqipëria. Sipas hetuesve, nga fitimet e këtij maksi narkotrafiku investoheshin aktivitete ekonomike në Shqipëri. Kokaina dhe heroina me vlerë 5 milionë euro u sekuestruan së bashku me automjete dhe telefona celularë të 18 shqiptarëve të vënë në pranga. Po gjithmonë sipas prononcimeve të dhëna nga hetuesit e dosjes, gjatë hetimit të kryer, prej tyre është evituar edhe një vrasje. Arrestimi i një shqiptari të armatosur me pistoletë që ishte bërë gati të eliminonte një bashkatdhetar në Itali, sipas tyre dyshohet se ishte një larje hesapesh në mes të bandës. Sipas Klaudio Peçiçias, drejtor i DIA-së së Barit, fitimet e mëdha të këtij trafiku droge transferoheshin në Shqipëri dhe investoheshin në aktivitete të rëndësishme ekonomike. Po kreu i DIA-s shtoi se fenomeni i trafikut ndërkombëtar i drogës në zonat e jugut, i drejtuar nga klane e grupe shqiptarësh, ishte nënvlerësuar deri më tani për nga rëndësia që ata kanë marrë. “Ky fenomen për fat të keq, - tha dje në një konferencë shtypi kreu i Drejtorisë Investigative Antimafia, Peçiçia, - arrin në kufijtë e emergjencës së shkaktuar në vitet e kaluara me kontrabandën e cigareve”.