E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrabanda, doganierët në pranga

Katër persona u arrestuan, pasi një kamion tentoi të kalonte pa paguar doganën në Tushemisht

POGRADEC - Kontrabanda rikthehet fuqishëm në pikën kufitare të Tushemishtit, ndërsa tentativa e parë e saj vuri dje në pranga plot katër persona, tre prej të cilëve për favorizimin e 5 tonëve fruta kontrabandë. Sipas policisë, paraditen e djeshme u arrestua Ardian Mëhilli, doganier, Genci Tahirllari, oficer policie, Mentor Killo, kontrollor në doganën e Tushemishtit, bashkë me drejtuesin e mjetit, Ndriçim Hallën, për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe favorizimit të kontrabandës. Burime të Drejtorisë së Policisë në Korçë bëjnë të ditur për gazetën, se një aksion i përbashkët i kësaj drejtorie me Drejtorinë e Kufirit si dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, prangosi katërshen e mësipërme, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin po fusnin fruta kontrabandë nga Maqedonia, në pikën kufitare të Tushemishtit. Sipas autoriteteve doganore të kësaj pike, për vetë kapacitetin e vogël që ajo ka, nuk funksionon si pikë doganore, çka do të thotë se nuk lejohet zhdoganimi i mallrave me sasi të mëdha, por funksionon më shumë si pikë kufitare për kalimin e qytetarëve. Të gjitha zhdoganimet që lidhen me shtetin maqedonas kryhen në pikën doganore të Qafë-Thanës. Por, duket se pavarësisht nga ky rregull i vendosur vetëm pak kohë më parë, nuk mendonin kështu punonjësit e turnit të mëngjesit të së mërkurës. Një automjet tip kamionçinë, e drejtuar nga Ndriçim Halla, banor i qytetit të Pogradecit, i ngarkuar me 5 tonë fruta, kaloi pa kryer asnjë veprim doganor, meqenëse në këtë pikë nuk ka zhdoganime të këtyre përmasave. Mësohet se sapo automjeti doli nga dogana, ra në grackën e policisë së Pogradecit, e cila e bllokoi atë, bashkë me drejtuesin e tij, ndërsa nisi edhe një operacion i shpejtë policor për prangosjen e dy kolegëve të tyre, njëri inspektor policie, tjetri kontrollor, bashkë me doganierin e turnit. Të gjithë janë gjetur në detyrë, ndërsa për vetëm 10 minuta është realizuar prangosja e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›