Privatizimi do na shpëtojë
Genc Ruli
Ministri i Energjetikes thote se privatizimi i sektorit te shperndarjes ne KESH do u jape fund abuzimeve te klienteve qe nuk paguajne faturat
Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ka deklaruar se pas privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, nuk do të ketë më abonentë të cilët nuk do të paguajnë energjinë. Menjëherë pas shitjes së operatorit, për të cilin tenderi do të mbyllet në muajin gusht, të gjithë ata abonentë të cilët nuk paguajnë energjinë, nuk të kenë furnizim. Po ashtu, pas privatizimit, modeli i çmimeve do të ndryshojë, ku konsumatori do të paguajë për atë që harxhon. Për sa i përket çmimit të shitjes së operatorit, ministri i Energjetikës u shpreh se ai do të jetë i përcaktuar nga tregu, por më i rëndësishëm mbetet fakti i investimeve që do të sjellë investitori. “Me modelin e ri që kemi zgjedhur, riskun financiar nuk e kemi transferuar tek privati, i cili menjëherë do të kërkonte që ta transferonte tek çmimi, por e kemi lënë tek një furnizues publik me shumicë i quajtur ndryshe, pra tek një ent shtetëror. Pra, mendoj se janë të gjithë mekanizmat e kontrollit, pa prishur logjikën e tregut, që të tentojmë të realizojmë gjithmonë e më shumë, por që sidoqoftë, ruajnë një linearitet, i cili synon të ruajë jo vetëm interesat e prodhuesit të energjisë elektrike, por edhe të konsumatorit shqiptar”, sqaroi Ruli, duke shtuar se nuk do të ketë më abonentë që nuk paguajnë energjinë. Për sa i përket çmimit të shitjes së operatorit, ministri i Ekonomisë nuk ka dhënë ndonjë shifër konkrete, por shpjegoi se forma e privatizimit është e tillë, që Operatori i Shpërndarjes shitet si një kompani që ka një stabilitet të vetin financiar dhe ka një investim të madh teknologjik dhe në 5 vjet janë bërë 150 milionë euro. “Për sa i përket deficitit që ka pasur kompania jonë, kjo ka ardhur kryesisht, pasi në dy vitet e fundit ne kemi qenë në një situatë aspak të favorshme hidrike, ku jemi detyruar që të importojmë, më shumë sesa të marrim energji. Pra, detyrimisht, edhe KESH-i ka blerë energji me një çmim shumë herë më të lartë se disa vite më parë, ndërkohë që e ka shitur me të njëjtat çmime. Një gjë e tillë ka sjellë këtë disbalancë financiare, e cila në momentin e privatizimit nuk ekziston më. Kompania e shpërndarjes në gjendjen e saj financiare jepet si një kompani e pranueshme tek privati”, u shpreh Ruli. Por krahas privatizimit të sektorëve strategjikë, ministri Ruli vlerësoi se edhe privatizimet e objekteve shtetërore jostrategjike tashmë po ecin në rrugën e duhur, pas praktikave të ngadalta në vitet 2005-2006, të cilat janë kushtëzuar nga ligji “Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve”. METE ka punuar për të shpejtuar procedurat për parablerjen e objekteve nga ish-pronarët e trojeve, duke shmangur burokracitë e shumta që kanë qenë në instanca të ndryshme, deri në organet e pushtetit lokal lidhur me këtë proces. Gjatë vitit 2007 u shpejtuan proceset që lidhen me këto privatizime, ku nga 227 kërkesa nga ish-pronarët, kanë dalë urdhrat për privatizim për 102 kërkesa dhe janë gati për privatizim nga Ministria e Financave rreth 70 objekte. Gjithashtu, edhe për objektet e dhëna me qira apo enfiteozë për biznese të ndryshme, po favorizohen në privatizim subjektet që merren me prodhim dhe eksporte, duke synuar privatizim të shpejtë. “Gati për privatizim janë 6 objekte të tilla, ndërsa 4 të tjera janë në ndjekje në ministri”, tha ministri Ruli.