Si ndodhi aksidenti i Fushë-Krujës
Fabrika e Çimentos
Mbipesha nga hipja e 6 inxhinierëve dhe teknikëve mbi të njëjtën dërrasë në lartësinë 17-20 metra, dyshohet se u bë shkak për aksidentin e rëndë
TIRANË - Incidenti me pasojë plagosjen e gjashtë personave, pesë prej të cilëve të huaj, në fabrikën e çimentos të Fushë-Krujës pak para mesditës së djeshme, mund të jetë shkaktuar nga thyerja e një dërrase të skelës ose nga lëvizja e dërrasës nga vendi. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se gjashtë të plagosurit: Dunkan Rethoford, 52 vjeç, me shtetësi angleze, Llazi Stavenkovski, 55 vjeç, me shtetësi maqedonase, Lajfi Jevernat, 27 vjeç, me shtetësi jordaneze, Besim Gashi, 37 vjeç, me shtetësi maqedonase, Ali Sabah, 50 vjeç, me shtetësi libaneze dhe Elidon Arapi, 25 vjeç, me shtetësi shqiptare, janë të gjithë me profesion inxhinierë e teknikë ndërtimi dhe po shikonin e përcaktonin se ku do të bëhej rikonstruksioni i njërit prej oxhakëve të furrës së fabrikës së çimentos “Seament”. Në gjendje mjaft të rëndë shëndetësore, me plagë të shumta në kokë është 27-vjeçari Lajfi Jevernat, ndërsa Besim Gashi, Ali Sabah dhe Eidon Arapi mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën, çka në fakt ende nuk mund të thuhet për anglezin Dunkan Rethoford dhe maqedonasin Llazi Stavenkovski. Aksidenti Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes bëhet e ditur se fabrika e dhënë me koncesion një firme libaneze, do të bënte një rikonstruksion një oxhak rreth 70 metra të lartë. Për këtë rikonstruksion ishte marrë si nënkontaktor për të mbyllur punimet një firmë maqedonase, e cila kishte kontaktuar me firmën shqiptare “Skela Syla”, për të bërë skelën e oxhakut që do të rikonstruktohej. Sipas burimeve të gazetës “Korrieri”, mësohet se skela e firmës shqiptare ishte vendosur 4-5 ditë më parë, por ende nuk kishte mbaruar kolaudimi dhe nuk i ishte dorëzuar firmës kontaktuese maqedonase si punë e mbaruar. Edhe pse hetimet paraprake kanë nisur, ende nuk dihet asnjë version zyrtar, nëse incidenti ka ndodhur ngaqë të gjashtë të dëmtuarit mund të kenë hipur në të njëjtin vend, ose ka lëvizur nga vendi ndonjëra prej dërrasave të skelës që sapo ishte vënë. Burimet thonë se lartësia nga e cila kanë rënë inxhinierët dhe teknikët e ndërtimit arrin deri në 20 metra. Por, fatmirësisht, përplasjet me hekurat e skelës ka “amortizuar” disi përplasjen e 6 personave, e cila mund të kishte qenë më fatale nëse ato nuk do të ishin përplasur me hekurat e skelës së vënë për rikonstruktimin e oxhakut. Ndërkohë, burime nga vendi i ngjarjes i bënë dje me dije gazetës “Korrieri”, se skela është gjetur në këmbë dhe pas aksidentit dhe se dyshimet kryesore kanë të bëjnë me mbipeshën që mund të jetë krijuar nga hipja e 6 personave mbi të njëjtën dërrasë të skelës, e cila ose nuk i ka mbajtur, ose ka rrëshqitur. Gjithsesi, hetimet për këtë ngjarje ende nuk janë mbyllur dhe konkluzionet do të jepen nga organi i akuzës. Ndërsa sipas burimeve zyrtare të Inspektoratit të Lartë të Punës, mësohet se fabrika e çimentos “Seamen” në Fushë-Krujë ka qenë në rregull me zbatimin e parametrave teknikë të kërkuar. Kontrolli i fundit i kësaj fabrike është bërë në datën 14 shkurt dhe, po sipas të njëjtave burime, çdo gjë ka qenë konform rregullave. Ndërsa nga ekspertimet rezulton se kushtet e punës të kësaj firme janë brenda normave dhe rregullave.