E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta virxhin, 3 inspektorë të antikontrabandës në skemë

SHKRUAN: Leonard Bakillari 02-09-2011 11:45

Tiranë Në prag të mbylljes së hetimeve për naftën virxhin, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dërgon prova të reja në Prokurori, që implikojnë të tjerë zyrtarë. Të paktën tre inspektorë të antikontrabandës, strukturë kjo në varësi të Doganave, dyshohet se janë përfshirë në skemën e mashtrimit për eksportin fiktiv të 17 mijë tonëve naftë virxhin. Pak ditë më parë, Doganat kanë depozituar në Prokurori një material të plotë mbi hetimin administrativ të paralajmëruar në media, pak kohë më parë edhe nga kreu i Doganave. Sipas këtij hetimi, rezulton se të paktën tre inspektorë të antikontrabandës kanë miratuar një procesverbal, ku thonë që sasia prej 17 mijë tonë naftë virxhin është eksportuar, në një kohë kur kjo deklaratë eksporti rezulton e falsifikuar. Në këtë hetim administrativ, që tashmë është pjesë e dosjes penale të njësisë “Task Forcë”, jepen të dhëna të detajuara mbi punën e tre inspektorëve, emrat e të cilëve nuk bëhen publikë për shkak të hetimit. Investigimi u referohet dy rasteve të eksportit fiktiv të naftës virxhin, që janë realizuar në shkurt të vitit 2009 nëpërmjet anijes “Rita S”. Tashmë, prokuroria ka konfirmuar se kjo anije ka mbërritur në Portin e Vlorës në datën 06 shkurt të vitit 2009, rreth orës 6:00 të mëngjesit dhe ka qëndruar në rad, nga ku është larguar në datën 11 shkurt, pa u ngarkuar. Po kështu, sipas hetimit, rezulton se e njëjta anije ka mbërritur sërish në Portin e Vlorës më datën 22 shkurt 2009 dhe është larguar në datën 28 shkurt, bosh, pa ngarkesë. Këto të dhëna janë përdorur nga të dyshuarit për kontrabandë dhe ish-doganieri i kontrollit fizik, Edmond Ferraj, për hartimin e dy deklaratave eksporti të naftës virxhin në sasinë prej 17 mijë ton. Në dijeni të falsifikimit kanë qenë edhe tre inspektorët e antikontrabandës, të cilët në procesverbalin e mbajtur prej tyre pohojnë se anija “Rita S” është nisur nga porti i Vlorës me ngarkesën e naftës virxhin. Ky fakt, sipas hetimeve të deritanishme, është i pavërtetë dhe për këtë arsye, kanë nisur hetimet ndaj tre zyrtarëve të antikontrabandës. Në hetimin e thelluar administrativ, të kryer nga Doganat, nuk është arritur të sigurohet procesverbali origjinal i firmosur nga tre inspektorët, por në dispozicion të prokurorisë është vënë një fotokopje e procesverbalit të firmosur prej tyre. Momentalisht, fotokopja e procesverbalit nuk mund të konsiderohet si provë dhe për këtë arsye prokuroria ka kërkuar dokumentin origjinal që do të implikonte zyrtarët e antikontrabandës në aferën e naftës virxhin. Akuza që dyshohet se kanë konsumuar tre inspektorët është ajo e falsifikimit të dokumenteve nga personat që kanë detyrë t’i lëshojnë ato. Ky episod lidhet drejtpërdrejt me momentin kur të tre zyrtarët kanë firmosur një dokument duke paraqitur të dhëna të rreme, që sipas akuzës ka të bëjë me eksportin fiktiv të 17 mijë tonë naftë virxhin, e cila është rihedhur më pas në tregun e karburanteve. Pasojat e ardhura nga ky falsifikim, sipas akuzës, janë tepër të mëdha, qoftë në dëmin e shkaktuar në buxhetin e shtetit nga rimbursimi i TVSH-së ndaj kompanisë “Euroil” për eksportin fiktiv të naftës virxhin, ashtu edhe në pasojat që ky karburant ka shkaktuar në mjedis dhe automjete. Deri tani prokuroria konfirmon se janë të paktën 16 persona nën hetim për mashtrim, moskallëzim krimi, shpërdorim detyre, dhe falsifikim dokumentesh.

Kontrabanda, hetimi voluminoz drejt gjykatës

Prokuroria e Tiranës po bën veprimet e fundit hetimore, për t’ia dorëzuar më pas gjykatës, për çështjen e kontrabandës së naftës. Të pandehurve po u komunikohen akuzat

Tiranë Pesë muaj pas operacionit të bujshëm që përfundoi me arrestimin e 13 personave të përfshirë në supermashtrimin me naftën virxhin, hetimet kanë hedhur dritë mbi shumë detaje që zbardhin skemën e shumëpërfolur. Me dhjetëra dëshmitarë, mijëra dokumente, prova të mbledhura në çdo institucion privat apo shtetëror, sipas akuzës kanë zbardhur një nga mashtrimet më të mëdha të kryera vitet e fundit. Burime të rezervuara pohuan se hetimet për dosjen “virxhin” janë drejt fundit dhe brenda javës së ardhshme ajo do t’i dorëzohet gjykatës për gjykimin e të pandehurve. Janë plot 16 të pandehur që do të merren nga prokuroria, përfshi biznesmenin tashmë në kërkim Hajri Elezaj, ortakët e tij Iljas dhe Martin Fisheku, si dhe disa punonjës të kompanive “Eurol” dhe “Fisheku”, që dyshohet se janë përfshirë në mashtrimin me eksportin e naftës virxhin. Superdosja ka të dhëna dhe prova të mjaftueshme për një sërë akuzash që janë ngritur dhe do të ngrihen ndaj të akuzuarve për përfshirjen në skandalin e denoncuar rreth një vit më parë nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Sipas burimeve, mësohet se i akuzuari kryesor i procesit është Hajri Elezaj, i cili është në kërkim, pas thyerjes së arrestit të shtëpisë. Në përgjegjësi penale, prokuroria pritet të marrë këto ditë pronarët e kompanisë “Fisheku”, të cilët me mjetet në pronësi të kësaj kompanie kanë mundësuar transportin e naftës virxhin nga kompania “Armo”, ku blihej me qëllim eksporti drejt depozitave në Durrës; ku dyshohet se përzihej me benzinën për t’u hedhur në treg si karburant i pastër. Nën akuzë do të vihen magazinierët dhe shoferët e kompanisë “Fisheku”, të cilët kanë konfirmuar itinerarin që ndiqnin botet e drejtuara prej tyre, por nuk e kanë kallëzuar këtë krim. Pikërisht moskallëzimi i krimit do të jetë akuza që prokuroria ka ngritur mbi shoferët dhe punonjësit e tjerë të nivelit të dytë, të cilët janë dhe më të shumtit në numër. Konfirmohet se u është komunikuar zyrtarisht akuza ish-inspektorit të Doganës së Vlorës, Edmond Ferraj, dhe inspektorit të tatimeve në sektorin e VIP-ave, Dashamir Kasaj. Sipas prokurorisë, doganieri Ferraj është akuzuar për falsifikim dokumentesh, duke qenë se ka përpiluar dy deklarata eksporti, të cilat rezultuan me përmbajtje të rreme, ndërsa tatimori akuzohet për shpërdorim detyre, pasi nuk ka kontrolluar siç duhet blerjet dhe eksportet e naftës virxhin në bilancet e kompanisë “Euroil”. Si pasojë e neglizhencës, pronari i kësaj kompanie ka përfituar 1.5 milion euro në formën e rimbursimit të TVSH-së për eksportin e naftës virxhin, i cili nuk është kryer asnjëherë. L.Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›