E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Ristani përpjekje për të manipuluar zgjedhjet

TIRANË- Partia Socialiste ka akuzuar sot kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Arben Ristanin se po përpiqet të manipulojë zgjedhjet e 8 Majit. Sipas deputetit socialist Armando Subashi, vetë kryetari i KQZ-së Arben Ristani po fotokopjon materialet zgjedhore, një përpjekje kjo sipas tij për të manipuluar zgjedhjet.

"Denoncojmë Arben Ristanin si shkelës të ligjit për fotokopjimin e materialeve zgjedhore të qershorit 2009 në bodrumet e KQZ, me qëllim vënien e tyre në dispozicion të Saliut. Ato materiale zgjedhore që iu mohuan opozitës, duke shkelur Kushtetutën, për të mos lejuar transparencën, po përdoren nga Ristani për manipulimin e zgjedhjeve që po afrojnë. Për të ndalur zbardhjen e të vërtetës së 28 qershorit Ristani për llogari të Saliut i shpalli deri edhe sekret materialet zgjedhore, madje për 25 vjet, ndërkohë që Saliu dhe Luli i marrin përmes Ristanit nga bodrumi i KQZ",- tha Subashi.

Sipas tij, pavarësisht se edhe OSBE e quajti shkelje mosmbylljen e regjistrimeve të reja në regjistrin e gjendjes civile, sistemi vazhdon të mbahet i hapur nga Poni për llogari të Saliut, prandaj i bëri thirrje OSBE-së të reagojë për këtë shkelje flagante, sic e quajti ai.

"Poni dhe Ristani janë të njohur në manipulimin e zgjedhjeve, dhe sot ata janë rivënë në lëvizje për të përsëritur avazin e vjetër të Saliut.OSBE duhet të flasë qartë për këto shkelje flagrante të ligjit dhe komuniteti ndërkombëtar duhet ta kuptojë se pa ndryshuar këto kushte s’mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri",- përfundoi Subashi.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›