Naftëtari merr siguri nga futbollistët kuçovarë
Pavarësisht problemeve financiare që po kalon klubi pas tërheqjes nga financimi i ekipit prej firmës Enarvi, futbollistët kuçovarë japin garanci për qëndrimin e Naftëtarit në Kategorinë e Parë
Nga ARBEN ÇEPANI
Pavarësisht probleme financiare, futbollistët kuçovarë shprehen të bindur për një paraqitje të suksesshme sezonin e ardhshëm. Nga Naftëtari, pas një eksperience 1vjeçare është tërhequr njëri prej aksionarëve kryesorë, firma Enarvi, që zotëronte 70 % të aksioneve të klubit. Me këtë lëvizje, mendohet se skuadra nuk do të ketë mbështetjen e mjaftueshme financiare për të përballuar me sukses kampionatin. Megjithatë, pjesa më e madhe e futbollistëve mendojnë ndryshe. Mesfushori Ardian Gega shprehet i bindur në një paraqitje të suksesshme të Naftëtarit në sezonin e ri. Fantazisti kuçovar, i cili në të kaluarën është aktivizuar me Laçin në Superligë, mendon se pavarësisht vështirësive financiare, ekipi do të jetë në gjendje që ti shpëtojë rënies nga Kategoria e Parë. Gega vlerëson punën e stafit të ri teknik dhe të kryebashkiakut kuçovar, Bardhyl Gjyzeli. Për fat të mirë, problemet që patëm pas periudhës së përfundimit të kampionatit të kaluar janë zgjidhur me sukses. E filluam disi me vonesë organizimin e ekipit, por tashmë gjithçka funksionon normalisht. Padyshim një falënderim duhet të shkojë për Kryetarin e Bashkisë, z. Bardhyl Gjyzeli, i cili njihet si një përkrahës i skuadrës. Do të përpiqemi të bëjmë gjithçka në kampionatin e ri për të justifikuar në maksimum besimin e drejtuesve të klubit. Jemi të kënaqur me stafin e ri teknik, ku të gjithë së bashku do të bëjmë të pamundurën për tu paraqitur në mënyrë dinjitoze në të gjitha takimet e sezonit që po afron. Financat në këto momente, nuk janë të larta, por gjithsesi ne do të sakrifikojmë për skuadrën e qytetit tonë. Kontigjenti i skuadrës, përbëhet pothuajse nga futbollistë kuçovarë, por e rëndësishme është se mbizotëron harmonia dhe kolektiviteti. Megjithatë, mendoj se duhen bërë disa përforcime, por edhe nëse nuk ndodh një gjë e tillë, përsëri Naftëtari nuk do të zbresë në Kategorinë e Dytë. Jemi të përgatitur për të mos i zhgënjyer tifozët tanë, të cilët na kanë mbështetur vazhdimisht dhe për këtë u jemi borxhlinj.
