Visi Peçi zgjidhet trajneri i ri i Gramozit
Pas 13 vjetësh si lojtar me fanellën e ekipit kolonjar, mbrojtësi do të ulet në stolin e tij me shpresën për ta ngjitur në Kategorinë e Parë
Nga KRISTI LILO
Pas një muaji debatesh të shumta, kolonjarët kanë njohur dje, emrin e trajnerit të ri, që është ai i Visi Peçit. Deri para një sezoni ai është aktivizuar si futbollist te Gramozi. Peçi e ka pranuar me kënaqësi detyrën dhe ka premtuar se skuadra nuk do të qëndrojë më shumë se një vit në Kategorinë e Dytë. Emri i ish-mbrojtësit të kolonjarëve ishte lakuar prej disa ditësh dhe dje ka ardhur zyrtarizimi nga kryebashkiaku i qytetit, njëkohësisht presidenti i ekipit, z. Ali Laho. Në takimin që zgjati mbi 4 orë ka pasur debate të ashpra, pasi është kërkuar që drejtimin e skuadrës ta merrte trajneri i ekipeve të moshave, Skënder Rustemi. Ky i fundit nuk ka pranuar dhe pas votimit nga specialistët e futbollit, është vendosur përfundimisht që numri 1 i stolit të Gramozit të jetë Visi Peçi. Trajneri i ri ka kontribuar për këtë ekip prej 13 vitesh, duke qenë një nga pikat më të forta të tij. Ai ka qenë pjesë e arritjes historike të ekipit, që ishte ngjitja në Superligë. Në Ersekë të gjithë e kujtojnë golin e shënuar prej tij në ndeshjen shtesë me Bylisin, gol që përmbysi gjithçka në atë takim. Presidenti Ali Laho ka besuar në aftësitë ish-lojtarit dhe i ka premtuar mbështetje maksimale në detyrën e tij të re. Ai i ka premtuar gjithashtu trajnerit të ri, se brenda kësaj jave do të plotësojë edhe nevojat e ekipit me bazën materiale. Pas tri ditësh do të ketë një takim tjetër, ku do të diskutohet për lojtarët që mund ti shtohen organikës së Gramozit. Kolonjarët janë në pritje të afrimit të sponsorëve të ndryshëm, jo vetëm nga qyteti i Ersekës, ndaj dhe besojnë se ky ekip nuk do të qëndrojë më shumë se një sezon në kategorinë inferiore. Peçi, pas marrjes së detyrës, ka premtuar se do të punojë me serizotet të lartë, që Gramozi të rikthehet përsëri në nivele të larta. Ndërkohë, janë lajmëruar të gjithë futbollistë vendës për të konfirmuar prezencën e tyre në ambientet e stadiumit në 18:00, ku është bërë edhe prezantimi i trajnerit të ri. Deri tani, bashkia ka gati fondin prej 3.1 milion lekësh për futbollin. Mësohet se midis të tjerave, rëndësi të veçantë do tu kushtohet ekipeve të moshave. Menaxhimi i tyre i është besuar sekretarit të klubit, Ilir Qirjakos. Të gjithë ekipet zinxhirë do të pajisen me bazën materiale, ku uniformat do të kenë nënshkrimin, Taçi Oil.
