Naftëtari në hapat e fundit të fazës seleksionuese
Duket se në kampin kuçovar tashmë është rritur optimizmi dhe po i jepet dora e fundit fazës së përzgjedhjes së futbollistëve që do të jenë pjesë e skuadrës për sezonin e ardhshëm
Nga: ARBEN ÇEPANI
Naftëtari ka mbyllur javën e tretë të përgatitjeve për kampionatin e ri. Skuadra po stërvitet me një seancë në ditë duke shfrytëzuar ambientet sportive të qytetit naftëtar. Duket se kriza që përjetuan kuçovarët gjatë periudhës së verës, ku u vonua jo pak organizimi i ri është lënë pas, teksa të gjithë futbollistët nën drejtimin e dyshes Vasili-Koroveshi janë përqendruar totalisht te procesi stërvitor. Duhet thënë se gjatë kësaj periudhe interesimi i futbollistëve që vinë nga qytetet e tjera për tu aktivizuar me Naftëtarin në Kategorinë e Parë është i lartë, por gjithsesi stafi teknik nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare për ta. Skuadra është pothuajse në hapat e fundit të fazës seleksionuese, ku trajneri Vasili, në mesjavë ka zhvilluar një ndeshje kontrolli brenda grupit për të parë më mirë gjendjen e futbollistëve që ka në dispozicion. Sipas stafit teknik, faza e përzgjedhjes së elementëve që mund të afrohen te Naftëtari do të vazhdojë edhe për disa ditë, ku do të përcaktohet dhe kontigjenti që do të përballojë ndeshjet e kampionatit të ri. Në përgjithësi në kampin kuçovar nuk mungon optimizmi për një paraqitje sa më të suksesshme në kampionat. Megjithatë, ata e pranojnë se duhet akoma punë për të shmangur rënien nga kategoria. Ndërkohë drejtuesit e ekipit janë në kërkim të miqësoreve, ndonëse janë konfirmuar dy të tilla me fqinjët e Tomorit. Beratasit momentalisht po stërviten jashtë qytetit të tyre, në Ersekë, teksa kuçovarëve u duhet të kërkojnë gjatë kësaj periudhe kundërshtarë të tjerë për ndeshjet miqësore.
