E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çoçlli: Partizanit i duhen edhe tri përforcime

Të kuqtë janë duke u stërvitur në komleksin stërvitor në Kamëz, ndërkohë që trajneri Nikolin Çoçlli shprehet optimist për të ardhmen, edhe pse sipas tij skuadra nuk është kompletuar ende e gjitha

 

Nga ANDI TANKU

Partizani vazhdon të përgatitet në kompleksin stërvitor në Kamëz, ku  aktualisht është duke zhvilluar dy seanca stërvitore në ditë. Trajneri Nikolin Çoçlli, i cili u vendos pas akordit të dy aksionarëve të klubit, se do të drejtonte ekipin në sezonin e ri është duke punuar për organizimin dhe seleksionimi e elementëve te rinj qe mund të afrohen këtë vit. Objektivi i të kuqve është ngjitja në Superligë, duke i dhënë kështu fund peripecive në kategoritë inferiore. Mbi zhvillimin e fazës përgatitore, synimit që ka Partizani këtë vit dhe merkaton e transferimeve, trajneri Çoçlli shprehet se ekipi është në rrugën e duhur dhe për momentin është kompletuar 80% të tij, por deri në fund të muajit gusht gjithçka do të jetë gati për të përballuar me sukses takimet e Kategorisë së Parë. Jemi duke punuar me të gjitha kapacitetet tona, për të arritur në objektivin kryesor atë të ngjitjes në Superligë. Gjithashtu, jemi të ndërgjegjshëm se nuk do të jetë e lehtë një gjë e tillë, pasi në Kategorinë e Parë, këtë vit ka mjaft ekipe cilësore, por ne do të luajmë takimet tona dhe do të përpiqemi të japim maksimumin për ti fituar ato. Për sa i përket futbollistëve, gjatë kësaj periudhe përgatitjesh ata janë duke marrë ngarkesat e duhura në seancat stërvitore. Janë të shumtë ata që kërkojnë të japin kontributin e tyre për këtë ekip, për vetë historinë që ky klub mbart. Aktualisht, kontingjenti që kemi në dispozicion është i mbipopulluar, por ne do të përpiqemi të përzgjedhim me profesionalizëm dhe objektivitet, si pjesë e Partizanit të ardhshëm, elementët më cilësor mes tyre. Pavarësisht kësaj, fryma që ekziston brenda grupit është entuziaste dhe optimiste për të ardhmen. Mendoj se për të qenë sa më shumë rivalizues do të na duhen edhe 2-3 përforcime të tjera, për të pasur sa më shumë alternativa, pasi kampionati është i gjatë dhe i vështirë. Për këtë gjë jemi hedhur në merkato dhe bisedimet kanë filluar me disa futbollistë. Megjithatë duhet të presim fundin e negociatave për të dhënë emra konkretë. Për momentin skuadra është e kompletuar deri në 80% të saj, por e them me bindje se para startit të sezonin ajo do të jetë gati për të bërë hapin e madh drejt Superligës,- përfundon trajneri i Partizanit Nikolin Çoçlli.  Mësohet se në fundjavë, të kuqtë do të udhëtojnë drejt Pogradecit për të zhvilluar atje fazën përgatitore. Gjatë kësaj periudhe qëndrimi në qytetin liqenor, do të shihet edhe mundësia e zhvillimit të ndonjë miqësoreje, organizimi i ekipit dhe vëzhgimi i të gjithë atyre elementëve që mund të jenë të vlefshëm për të arritur objektivat e Partizanit në këtë vit të ri futbollistik.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›