E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nallbani: S'di çfarë ka pasur në mendje kuratori

Në linjën muzeale të GKA-së, piktori Hasan Nallbani prezantohet me dy punë, "Aksionistja" dhe "Stafeta".


Me rastin e ekspozitës personale, piktori del kundër "definicioneve" të drejtorit Shima për historinë e artit pamor shqiptar, sidomos për periudhën e realizimin socialist


Hasan Nallbani është një nga piktorët shqiptarë ende aktiv, që është përfshirë në linjën muzeale të historisë së Artit Pamor, të realizuar nga Galeria Kombëtare e Arteve.


Në seksionin e Realizmit Socialist - "Ndërtimi i modeleve të njeriut të ri", ai prezantohet me dy piktura, "Stafeta" dhe "Aksionistja".


Për Nallbanin këto nuk janë punët e tij më përfaqësuese dhe nuk janë një pasqyrë e krijimtarisë së tij.


Por vërejtjet nuk i ka vetëm për prezantimin e tij në këtë linjë. Ka artistë që, sipas Nallbanit, nuk u është lënë vend në ekspozitë, si piktori Jakup Kerraj apo skulptorët Hektor Dule e Dhimo Gogollari. Në këtë intervistë, Nallbani tregon për krijimtarinë gjatë periudhës së realizmit socialist dhe kompromiset.


Z. Nallbani, në linjën muzeale që ka përuruar këto kohë Galeria Kombëtare, ju prezantoheni me tablotë "Aksionistja" dhe "Stafeta", të dyja të vendosura në seksionin e pikturës së Realizmit Socialist. A kanë një histori këto tablo?


"Aksionistja" është një nga punët e mia më të vjetra, nga të parat që jam prezantuar në atë mënyrë.


Në atë kohë duhej të prezantoje një vepër që i përgjigjej një programi. Shpesh thoshin "Ekspozitë nga jeta e gruas" dhe aty ti ishe i detyruar të kapje një subjekt që lidhej me gruan.


Ose "Ekspozitë nga bujqësia" dhe duhej të kapje një temë të kësaj natyre. Tematika vihej nëpërmjet një programi që e dërgonte Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve të Shqipërisë. Kurse "Stafeta" është porositur nga një klub sportiv.


Janë punët tuaja më përfaqësuese?


Unë nuk e di se me çfarë qëllimi janë vënë këto piktura këtu. E kam të vështirë të shpjegoj përse kuratori ka zgjedhur pikërisht këto.


Nëse është fjala për të prezantuar një vepër kualitative, më prezantuese për mua, unë kam punë të tjera që janë të mëvonshme, me të cilat jam prezantuar dhe kam marrë edhe çmime.


Nuk janë këto më përfaqësueset për mua. Ai kuratori nuk e di se çfarë ka pasur në mendje.

Sa punë keni në fondin e galerisë?


Mbi 40 punë, që nga fillimi i karrierës sime. Atëherë ishte si rregull që në çdo ekspozitë të rëndësishme galeria blinte disa punë.


Kishte një fond që blinte dhe ato janë pjesë të fondit të galerisë. Realisht, sot, fondi i galerisë është i pasur në sajë të mbledhjes që është bërë atëherë.

Nga një vështrim i sotëm, ç'ishte metoda e realizmit socialist?


Ky term për mua është shumë spekulativ. Në Shqipëri ka pasur një program, një stil, një platformë, të kësaj natyre. D.m.th., shtrohej një qëllim estetik që karakterizohet si realizëm socialist.


Nuk gjej një koherencë, qoftë edhe periodike, që të them që, deri në '90-ën ka qenë realizmi socialist, dhe pas '90-ës ka ndodhur tjetër gjë. Sot prapë shoh autorë që vazhdojnë të punojnë në atë mënyrë.


Madje në atë periudhë ka edhe skulptura ose piktura që janë bërë në të njëjtën mënyrë siç janë bërë në të gjithë botën dhe nuk mund t'i karakterizosh si realizëm socialist.


Ato i karakterizon më shumë përmbajtja se forma, d.m.th. përmbajtja shpeshherë politike.


Po ai është më shumë art i angazhuar sesa një art i karakterizuar si stil. Në këtë linjë gjen piktorë që nuk kanë lidhje me stilin e njëri-tjetrit. Në këtë kuptim nuk mund t'i karakterizosh, t'i fusësh në një çadër.

Ju thatë që përmbajtja ishte e diktuar. Po në formë sa liri kishte?


Qëllimi kryesor ishte të arrihej profesionalisht një vlerë, pastaj në temë, aty ku subjekti e lejonte, përpiqeshe të sillje më shumë liri. Kur subjekti ishte më direkt, më politik, aty ishe më i shtrënguar.


Në këtë mënyrë jam përpjekur të gjej hapësira, që realisht çdo artist kërkon që të shprehet. P.sh., një temë historike të jepte më shumë dorë që të luaje. "Stafeta", po ta shohësh me kujdes, ka më shumë liri, del nga skema e ngurtë e kohës.


Është një lëvizje që më ka dhënë mundësinë t'i jap më shumë liri vetes në aspektin plastik dhe në ngjyrë. Mendoj se është si një pararendëse e pikturës që bëj sot.

Gjatë gjithë krijimtarisë suaj, sa vepra me tema të tilla keni bërë?


Kam një tablo që paraqet disa kooperativiste. Janë gra që ecin në arë, me shat njëra pas tjetrës.


Në një sfond me një terren paksa të vështirë, në fshat. Kjo ka qenë shumë e zakonshme në Shqipëri, kudo që të shkoje, në të dyja anët e rrugës shikoje gra, që punonin gjithë ditën. E të prezantoje një realitet të tillë, ishte brenda së vërtetës.


Ju jeni një nga ata artistë që u formuat në Institutin e Lartë të Arteve. Patë të vinin në Shqipëri artistë që u shkolluan në Lindje dhe në Perëndim. Sipas jush, cilët ishin ata që e patën më të lehtë të përshtateshin me realizmin socialist?


Kjo ndodhi me ata që vinin nga shkollat e Perëndimit. Shkollat çeke e polake ishin shkolla më të lira dhe prezantonin një frymë tjetër nga shkolla ruse apo sovjetike që ishte më konservatore, më tradicionale.


Ksenofon Dilo apo Danish Jukniu për ne ishte një zbulim. Pikturat e Danishit nuk korrespondonin me atë që kërkohej në shkollat tona. Ata ishin të mësuar me idenë e nudos, e studimit të figurës së femrës.


Dhe çfarë punësh kërkoheshin në atë kohë në institut?


Në përgjithësi, një pikturë akademike, modeli dhe piktori. Piktori duhej të prezantonte një realitet veristik, që korrespondonte me të vërtetën. Jo interpretativ, jo shumë të ndryshëm nga ajo që ofronte realiteti.


Kur bëja një peizazh, "ai" thoshte ti e ke tjetërsuar, ndërsa nuk korrespondon kjo me të vërtetën. Kjo ishte tendenca e kohës.


Pas Pleniumit IV pati një frymë shtrënguese, ishte një situatë e vështirë. U goditën, si të thuash, arti, tendencat liberale në art, në letërsi, etj. Edhe pikturën e përfshiu kjo valë.


Për t'i shpëtuar kësaj vale, a bëtë ju kompromis me veten apo me pikturën?


Ekzistonte një marrëveshje e kësaj natyre. Kërkoje të shprehje lirinë tënde nëpërmjet një autocensure.


Secili e kishte në vetvete autocensurën dhe ajo korrespondente me idenë e të pranueshmes dhe të papranueshmes.


Kur bëje pikturën, gjithmonë kishe parasysh: "kjo piktura ime do të ekspozohet apo jo". Në kokë ishte ideja e kodit estetik. Kërkoje të gjeje një këndvështrim më të lirë, qoftë në një subjekt nga puna apo në një peizazh.

Cilat janë këto tablotë e kompromisit?


Idenë e kooperativistëve unë e kam prezantuar në një tablo më të vogël. Këto femrat i prezantova në një qëndrim statik, njëra pas tjetrës dhe njëra mbante një flamur. Ata e pëlqyen si pikturë, po ai statizëm nuk korrespondonte me dinamikën që duhet të prezantonte piktura.


Më thanë që dukej si ikonë. Piktura u përjashtua nga ekspozita, unë e përsërita këtë subjekt nëpërmjet këtyre grave, po në lëvizje. Dhe atëherë e pranuan. Kjo ishte mënyra që gjeje, si të thuash, një lloj hapësire.

Cili është mendimi juaj për këtë pasqyrim të historisë 120-vjeçare të artit pamor shqiptar?

Është ndërtuar në mënyrë paksa subjektive. Një linjë që prezanton problematikën e artit të zhvilluar në këto vite, duhet të karakterizohet nga kërkimi ose gjurmimi i vlerave më përfaqësuese.


Në fund të fundit ai është një proces kulturor, politik dhe shoqëror. Në këtë aspekt, ti si institucion shtetëror duhet të prezantosh pikërisht këto vlera, duke ruajtur dhe frymën e kohës, patjetër.


Po vlera përfaqësuese ka pasur edhe ka në fond, që janë të një kualiteti tjetër dhe që i prezantojnë më mirë artistët.


Mandej disa piktorë, qoftë edhe të brezit tim apo edhe ata që kanë vdekur, mund të grupoheshin, të ishin më në evidencë, duke treguar karakterin e pikturës së tyre, problematikën e tyre. Ismail Lulani, p.sh., ka disa peizazhe këtej, një portret aty. Ose Danish Jukniu, që ka piktura të tjera, që mund të jenë më përfaqësuese.

Sipas jush, ka artistë që nuk janë përfshirë?


Jakup Kerraj. Duket sikur s'ka ekzistuar, sepse nuk është askund. Ka skulptorë që nuk janë, si Hektor Dule. Dhimo Gogollari, p.sh., ka skulptura shumë interesante.


Ose skulptor si Thoma Thomai, që prezantohet me dy skulptura që nuk janë përfaqësuese. Ai ka një histori të viteve të para dhe një histori të mëvonshme.


Në këtë kontekst duhet të prezantohet për të organizuar profilin e tij të plotë, jo vetëm me dy vepra.


Ky është mendimi im, por neve nuk na ka pyetur njeri. Megjithëse këta djem që e organizuan i kemi pasur studentë, ata nuk na pyesin më.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›