E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e identitetit, femrat kthehen në meshkuj

PROBLEMET/ Shumë banorë kanë vendosur të mos i tërheqin kartat me gabime, për të cilat iu duhet të ripaguajnë


KAVAJË - Shfaqen gabime nga më të ndryshmet me identifikimin e popullsisë dhe shtypjen e kartave të identitetit, duke i kthyer madje femrat në meshkuj dhe meshkujt në femra. Këto gabime janë reflektuar gjatë procesit të aplikimit për karta identiteti, ku shumë njerëz e kanë parë veten në gjini të kundërt me atë që janë.


Kështu vetëm në komunën e Golemit janë 8 (tetë) persona që kanë rikthyer kartat e identitetit mbrapsht, vetëm për shkak të gjinisë.


Pavarësisht se ky është një gabim i gjendjes civile, e cila gjatë procesit të dixhitalizimit të të dhënave personale të popullsisë, nuk ka punuar me përpikmëri dhe kujdes, përsëri pesha e pagesës dhe sorrollatjeve bie mbi qytetarët. Këta të fundit duhet të ripaguajnë për kuponin shumën prej 1200 lekëve të reja, për të përsëritur aplikimin, në mënyrë që letërnjoftimi i tyre të jetë i rregullt dhe i vlefshëm.


Aplikantët, pasi kanë verifikuar gabimet me të dhënat personale, që nuk janë vetëm të natyrës së gjinisë, por edhe gabime në të shkruar, heqje apo shtim të gërmave të emrit dhe mbiemrit, ndryshim të vendit të lindjes apo banimit, datat e lindjes, gërma "ë" pothuajse nuk ekziston fare nëpër emrat e qyteteve etj, nuk kanë firmosur tërheqjen e kartës dhe kanë kërkuar korrigjimin e saj.


Mirëpo, operatorët e zyrave të aplikimit nuk kanë të drejtë të bëjnë korrigjime apo të rikthejnë për stampim një kartë identiteti të parregullt.


Operatori i Golemit, I.Xhaferi, shpjegon se "të gjithë personat që kanë ardhur për aplikim dhe kanë pasur probleme me të dhënat personale, ne ua kemi komunikuar që, pasi të stampohet karta, nuk kthehet më mbrapsht, por ajo nxirret jashtë përdorimit dhe personi duhet të bëjë korrigjimet e nevojshme pranë gjendjes civile, pastaj të vijë të riaplikojë. Por kjo gjë u është dukur e lodhshme dhe e shtrenjtë financiarisht qytetarëve dhe kanë vendosur që të mos riaplikojnë, pasi nuk janë paraqitur më".


Ai shton se "vetëm në rast se letërnjoftimi del pa cilësi apo fotoja dhe firma dalin të dobëta, atëherë këto karta identiteti i kthehen firmës "Aleat" dhe e paguan ajo shumën financiare për ristampimin e tyre.


Ndërsa për rastet e lartpërmendura, kur gabimet nuk vijnë si pasojë e punës sonë, si operatorë, qytetarët janë të detyruar të riblejnë kuponin vetë dhe të korrigjojnë gabimet nëpër gjendjet e tyre civile.


Pastaj mund të paraqiten tek ne me dokumentin (përgjithësisht) certifikatën e rregullt". Këto parregullsi një pjesë e mirë e njerëzve i kanë vënë re vetëm në momentin që kanë kontrolluar të dhënat e kartës me ato të dokumentit të mëparshëm, mbi bazën e të cilit kanë bërë edhe aplikimin.


Golemi ka numrin më të madh të votuesve ndër komunat e Kavajës, ndaj edhe numri i personave me identitet të parregullt është më i madh.


Deri tani janë 14 persona që nuk kanë pranuar t'i tërheqin letërnjoftimet e tyre me gabimet që ato përmbajnë.


Ndërsa rastet kur ë-ja është vendosur si -e- apo kur -e-ja është shkruar si -a- dhe e kundërta, janë pranuar nga pjesa më e madhe e popullsisë, duke menduar se në këtë mënyrë shmangin pagesën e dyfishtë për një kartë identiteti apo kohën e humbur për këtë proces.


Por anashkalimi i këtyre të dhënave personale me gabime, në një të ardhme nuk do t'iu korrespondojë me dokumentet e tjera të identifikimit dhe mund t'u hapin shumë pengesa, sidomos nëpër ambasadat e huaja, të cilat kërkojnë korrektësi të plotë në shkrimin e të dhënave individuale.


Por përveç parregullsive, procesi i pajisjes së popullsisë me letërnjoftime është tepër i vonuar, për faktin se vetëm në Golem janë 8 200 votues, ndërsa kanë aplikuar 2 820, ndërkohë pjesa e mbetur pa aplikuar është gati 3/4 e banorëve të kësaj zone.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›