KQZ, kallëzim penal për drejtuesit e PPSHr
PD-ja kërkon verifikim dokumentacioni edhe për kandidatin e pavarur, Omuri
TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk është mjaftuar vetëm me çregjistrimin e Partisë së Punës së Shqipërisë të Riorganizuar nga lista e partive garuese për zgjedhjet parlamentare te 28 qershorit.
Kjo pasi ky komision ka vendosur t'i shkojë deri në fund këtij rasti për të respektuar ligjin zgjedhor, jo vetëm duke bërë një akt të tillë formal, por edhe për ta ndjekur atë penalisht.
Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, ka bërë të ditur dje se përveç këtij vendimi, KQZ-ja do të bëjë edhe kallëzim penal në prokurori, si një detyrim që lind nga ligjet shqiptare për të denoncuar çdo akt antiligjor
"Ne kemi në dorë të marrin dy hapa: një që sapo e morëm, pra çregjistrimi dhe, i dyti, për të bërë kallëzim penal në prokurori si një akt i rëndë falsifikimi", - tha Ristani.
Të të njëjtit qëndrim kanë qenë dhe përfaqësuesit e dy forcave të mëdha, PD-së dhe PS-së në këtë komision, të cilët kanë kërkuar që çështja të mos lihet vetëm me vendimin e çregjistrimit, por të ndiqet në organet kompetente si akt shumë i rëndë që ka pasur për qëllim të mashtrojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
"I kërkoj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të marrë në konsideratë këtë konstatim, të distancohet prej një veprimi të tillë dhe të marrë vendimin e duhur, pasi jemi përpara një falsifikimi të shëmtuar", - tha përfaqësuesi socialist, Genci Gjonçaj.
Këtij qëndrimi i është bashkuar edhe përfaqësuesi demokrat, Njazi Kosovrasti, i cili pasi ka dënuar këtë veprim të PPSHr-së ka kërkuar që të verifikohen deri në burim edhe firmat e paraqitura prej kandidatit të pavarur Abdulla Omuri.
"Siç duket, gjithçka është e vërtetë dhe unë në emër të PD-së e dënojmë këtë rast dhe kjo është shumë e shëmtuar dhe duhen marrë të gjitha hapat e duhur që të gjithë ata që bënë këtë falsifikim të marrin përgjigjen e duhur nga ligji", - tha Kosovrasti.