E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sandër Prosi, Nder i Kombit pas vdekjes

Urdhri Presidenti Topi dekoroi dje aktorin e njohur të teatrit dhe kinemasë

Presidenti Topi ka nderuar dje me urdhrin “Nderi i Kombit” artistin e njohur të skenës dhe kinematografisë shqiptare, aktorin Sandër Prosi, pas vdekjes, me motivacionin “si personalitet i shquar i skenës dhe i ekranit, me kontribute të çmuara në krijimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të artit teatral dhe kinematografik shqiptar”. Ky vlerësim i aktorit është bërë pikërisht në 25-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Në ceremoninë e organizuar në ambientet e Presidencës, përveç familjarëve të aktorit, ishin të pranishëm aktorë, regjisorë, kineastë dhe personalitete të larta të artit shqiptar. “Ai ishte një artist i fjalës. Një nga më të mëdhenjtë e fjalës shqipe. Fjala për të nuk kishte sekrete, ai ishte i pushtetshëm ndaj saj pikërisht në kohën kur fjala dhe liria e saj kishin marrëdhënien më tragjike në këtë vend. Sandër Prosi ishte një nga kolonat e artit të shtatë në Shqipëri”, tha në fjalën e tij Presidenti Topi. Duke iu referuar interpretimit të Prosit si një model që solli të gjallë dhe përjetësoi shumë figura historike, Presidenti ka theksuar se ato do të mbeten të pashlyeshme jo vetëm për brezin që u rrit me to, por edhe për të rinjtë që do t’i ndjekin personazhet e tij përmes ekranit të televizionit. “Duke parë sot Dhaskal Todrin e Sandër Prosit, fëmijët tanë dhe brezat e mëvonshëm do të mësojnë po aq sa u jep një libër historie, e ndoshta më shumë e më ndjeshëm, për atë figurë të arsimit kombëtar, për rrugën e mundimshme të këtij populli për identitet e prosperitet. Madhështor ishte Marçelo Mastrojani, por kurrsesi nuk erdhi me standardin dhe lojën mjeshtërore të Sandër Prosit te ‘Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur’. Nuk mund t’i shmangem tundimit pa komentuar në mënyrë të veçantë filmin ‘Nëntori i dytë’. Në kujtesën tonë, ‘Burri i Pavarësisë’ është skalitur nëpërmjet interpretimit të Sandër Prosit, një imazh që kurrë nuk mund të tjetërsohet e ndoshta as të tejkalohet”, ka thënë Presidenti Topi. Në emër të familjarëve, djali i aktorit, Aristidh Prosi, u shpreh: “Ju falënderoj për fjalët vërtet shumë prekëse, të thella, të thëna në adresë të babait tonë! Ju falënderoj shumë edhe për dekorimin që ju e bëtë sot në 25-vjetorin e vdekjes së tij! Dua të falënderoj shumë edhe kolegët bashkëpunëtorë të krijimtarisë artistike, një pjesë e mirë e të cilëve janë në këtë sallë”, ka thënë ai, duke iu referuar në mënyrë të veçantë pranisë së dy njerëzve në jetën e Sandër Prosit: bashkëshortes Filomena dhe regjisorit Viktor Gjika.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›