E Diel, 1 Nëntor 2026

Namik Resuli dhe letërsia arbëreshe

 

Mund të pohojmë pa farë mëdyshje se libri në dy vëllime “Shkrimtarët shqiptarë”, i botuar më 1941 nën drejtimin e E.Koliqit, ka formatin e një historie dinjitoze të letërsisë shqipe, që edhe sot e ndjejmë mëse të nevojshme t’i referohemi, jo vetëm për informacionin e pasur e të rafinuar, por edhe për gamën e tezave objektive e të guximshme shkencore, në rrafshin diakronik e sinkronik të kësaj letërsie. Kjo sepse në hartimin e kësaj vepre morën pjesë një grup autorësh të kualifikuar, që siç shkruan studiuesi I.Rugova iu përmbajtën dhe afiniteteve të tyre, (d.m.th., respektuan bashkërisht disa koncepte e parime pune) gjë që e dëshmuan këtë me një shqyrtim profesional të procesit letrar. Libri i parë, ku letërsia arbëreshe shpaloset me disa nga autorët më të shquar të saj, është përgatitur nga N.Resuli, cili është dhe autor i drejtpërdrejtë i mjaft kapitujve mbi letërsinë arbëreshe e konkretisht për Jul Varibobën, De Radën, Anton Santorin, Gavril Darën (i Riu) etj.

Nisma për këso botimesh, aq të nevojshme për shkollarët e njerëzit e dijes, u mbrujt në valën e shpërthimit të bujshëm kulturologjik në Shqipërinë e viteve ‘30 të shekullit të kaluar, kur idetë e projektet iluministe, rilindëse, racionaliste, progresiste-utopike, në kuptimin më të gjerë të këtyre nocioneve, në mënyrë sinkretike, kishin mbledhur energji të pazakonta mendimi e produkti intelektual. Autorët kontribuues të këtij botimi serioz, falë kulturës e përkushtimit të tyre, pa cenuar cilësinë, ia arritën që si ekip i njimendët shkencor, ta përmbyllnin me ritme të larta kohe kryerjen e veprës që kishin marrë përsipër.

Sigurisht, për letërsinë e botës arbëreshe të Italisë, ashtu si dhe për fragmente të tjera të mbarë letërsisë shqipe, deri në botimin e këtij libri, ka patur disa tekste e manuale paraprijëse. Studiuesi N.Resuli dëshmon se i ka njohur shkoqur ato, p.sh., botimet e Gualtierit, Markianoit, Stratigoit, Dorsës, Justin Rrotës, E.Çabejt etj. Në raport me këto studime, ai manifeston, sipas rastit, mbështetjen e kontinuitetin, polemikën, si dhe hedhjen e tezave të reja, d.m.th., duke formuluar një lexim të vetin mbi ato tekste të arbërishtes.

Botime të këtij lloji, si tekste apo histori letërsie, që kanë për destinacion interpretimin e klasifikimin tërësor të procesit letrar, dallohen për shqyrtime disi neutrale e të distancuara. Resuli është nga ata autorë që si të thuash i largohet kësaj marrëveshjeje, duke hedhur ide e propozime të njëpasnjëshme, që në fund të fundit e intrigojnë lexuesin të përfshihet e të implikohet në interpretimin e teksteve. Kështu, nga pikëpamja e diskursit të tij, studiuesi ka një pozicion të ndërmjetëm apo të dyfishtë mes historianit të letërsisë e kritikut letrar, mes prirjeve për shqyrtime me objektivitet e akribi shkencore dhe interpretimeve intuitiviste e subjektiviste. Me sa duket, për të nuk kanë aq rëndësi rrugët e metodat për të shkuar tek letërsia, por vetë letërsia në vetvete, e cila të imponon dhe modelet e paradigmat e shqyrtimit. Në këtë rast, mund të hetojmë paralele dhe me modelet e një kritike të tillë që qarkullonte aso kohe në Shqipëri, sidomos tek shkrime të K.Malokit, A.Pipës e ndonjë tjetri.

Sigurisht, De Rada, për pushtetin e talentit që zotëron, do të jetë pika më e fortë e studimit të Resulit. Ai ruan mendimin se sado diskutueshëm, në fund të fundit, krijimtaria e poetit arbëresh të Maqit i përket shkollës romantike, porse kryevepra e tij “Këngë të Milosaut”, për kompleksitetin e ndikimeve, e ka të vështirë katagolizimin apo klasifikimin, gjë që është karakteristike në përgjithësi për tërë veprat e mëdha. Dhe kjo ka të bëjë me reminishencat që ndihen aty nga epokat letrare paraprijëse, prandaj dhe është përcaktuar si vepër e tipit romantiko-sentimental, e mbështjellë me mermerin e ftohtë të antikitetit (M.Xhaxhiu).

Një tezë e rëndësishme e Resulit, është njohja si meritë e madhe e veprës së De Radës; pikërisht, ngritja e dialektit të arbërishtes në nivelin e gjuhës letrare. Në fakt, siç e kemi theksuar dhe në ndonjë rast tjetër, De Rada u bë simbol i një tradite letrare, që tentoi t’i kthejë në përparësi dhe shumë elemente të cunguara apo të munguara të këtij dialekti. Mund të thuhet se mjaft bjerrje të shpjegueshme nëpër histori të materialit gjuhësor - i kanë dhënë këtij dialekti të rrudhët e arkaik, sidomos përmes veprës deradiane, si iniciuese e kësaj fryme, aftësira të tjera kompensive për të krijuar lidhje ekspresive mes fragmenteve e golleve, përmes një niveli ligjërimi tepër figurativ e sidomos metaforik, për të përballuar komunikimin letrar. Pikërisht, këtë strukturë specifike gjuhësore, e ktheu në një strategji estetike De Rada dhe krijuesit e tjerë arbëreshë, të cilët kishin bindjen se gjuhët, në çdo stad të tyre, edhe në ato më të hershme e me volume inferiore strukturore e leksikore, mund të ngjizin me magmën e tyre ligjërimore kryevepra të vërteta letrare. Në planin kulturor, kjo është një prirje e rrallë dhe e guximshme, në kufijtë gati të aventurës dhe, si akt kulturologjik, dëshmon se si kulturat e gjuhët e fjetura, gati të fikura, mund të ngjallen si feniksi nga hiri i tyre.

Këtë kishte parasysh A.Pipa, i cili, nisur nga Xhanbatisto Viko, pohonte se gjuhë të situatave të tilla, për shkak të mungesave gjuhësore, fitojnë si kompensim një natyrë mjaft figurative. Prandaj dhe elipsa është figurë mjaft e dendur, që lind për të plotësuar mungesat e natyrës gjuhësore. Së këndejmi buron dhe sintetizmi mjaft i pranishëm i artit deradian, parashtruar dendurisht nga kritika letrare, njoftuar gjithashtu shkoqur nga N.Resuli, i cili vëren se veçanërisht te “Këngë të Milosaut”, autori ka prirjen që në dy-tri vargje arrin të shpalosë tablora madhështore të një bukurie të pashoqe. Me këtë ai shpjegon dhe dukurinë e fragmentarizmit e të të ashtuquajturit errësim të qëllimshëm, që vijnë si pasojë e një arti të thellë dhe tepër të rafinuar estetikisht, që synon të depërtojë në pikat më esenciale e jo në periferitë sipërfaqësore. Fragmentarizmi dhe errësira do të mbeten gjatë si temat më të debatueshme në studimet letrare mbi De Radën e posaçërisht në shqyrtimin e kryeveprës së tij, “Këngë të Milosaut”.

Objekt debati do të jetë dhe ripunimi i vazhdueshëm e gati obsesiv i veprave nga De Rada, të cilat diçka fitonin e diçka humbnin nga pikëpamja e strukturës dhe spontaniteti i tyre. N.Resuli ruan mendimin se varianti i parë i “Këngë të Milosaut” mbetet më i arriri, që dallon mjaft si lartësi nga të tjerat, aq sa perla prej guaskës së vet, siç do të vërente A.Pipa mbi këtë çështje. Sipas studiuesit, N.Resuli, kjo kryevepër plot origjinalitet, ka thjeshtësi, naivitet e freski ndjenjash e kallëzimesh që vlojnë në çdo faqe të kësaj poeme, e cila nuk është pema e një elaborimi mendor e artificial të thatë, por është vetë epshi, fshamja e një shpirti që ndjen e vuan thellë. Këtu studiuesi hedh idenë se ky model e kjo frymë arti, nuk është përcjellë veçse nga këngët popullore shqiptare e arbëreshe, burim i pashterur ky për poetët më të mire të letërsisë shqipe, që nga Fishta, Skiroi e gjer te Lasgushi, duke shkuar gjer atje, sa të mos e quajë De Radën aspak bir të shekullit në të cilin rrojti, në kuptimin si produkt letrar edhe të kulturës italiane. Sigurisht, ky gjykim e çonte në ekzagjerim të skajshëm e nga pozita disi etnocentriste vlerësimin e kësaj figure. Duhet thënë se, edhe më pas, nuk kanë munguar të shfaqen pikëpamje të tilla, të cilat, ndonëse të nisura nga synime vlerësimi, në fakt e kanë ngushtuar qarkun real të formimit të tij shumëkahësh, polivalent, epërsi këto që i dhanë fatmirësisht dhe përmasat e një personaliteti aq të fuqishëm.

Kurse M.Camaj, në studimet e tij të mëvonshme do të shikonte një gërshetim tek romantizmi arbëresh të traditës popullore dhe të romantizmit libresk e intelektual, gjegjësisht kulturës perëndimore. Madje, sipas tij, kjo i siguroi letërsisë arbëreshe statusin e një ure lidhëse të letërsisë shqipe si megasistem letrar me letërsinë europiane të kohës. Studiuesi A.Xhiku, këto kontakte interkulturore i përcakton si shtysa që dhanë, p.sh., jehona deri të bajronizmit, tek De Rada e krijues të tjerë arbëreshë. Çabej e sintetizon në mënyrë më të plotë këtë dukuri të poezisë italo-shqiptare, duke e quajtur atë lëndë ballkanike, e posaçërisht shqiptare, të derdhur në formë romane; autorët e saj në rrafshin estetik, sipas tij, janë drejtuar në themel nga Perëndimi. Këtë veçori thelbësore të kësaj letërsie, ky studiues e çmon si element të rëndësishëm pasurimi dhe jo veçimi apo tëhuajësimi mes saj dhe letërsisë tjetër shqipe, duke e argumentuar bindshëm karakterin integrant të kësaj rrjedhe letrare me trungun amtar letrar. Në mbyllje të këtij vështrimi duhet vënë në dukje se, për studimin e letërsisë arbëreshe, N.Resuli ka dhënë një kontribut të vyer dhe posaçërisht u ndalëm ta konkretizojmë këtë tek libri “Shkrimtarët Shqiptarë”. E bëmë këtë për të kujtuar vlerat e shënuara të këtij botimi të lënë në heshtje për shumë kohë dhe për të identifikuar autorësinë e studiuesit N.Resuli të mjaft tezave mbi letërsinë arbëreshe, të cilat kanë qarkulluar e vazhdojnë të qarkullojnë, por mjerisht nga një lagje studiuesish të pacituara, për arsyet e ditura. Ky kritik i talentuar ka patur rastin t’i vazhdojë e pasurojë më tej hulumtimet në këtë fushë, por ne u ndalëm pikërisht tek botimi i një kohe, me domethënien për të mos e harruar pengun e nderimit ndaj kontributit të çdo autori e çdo kohe.

*Referim në Simpoziumin e III Ndërkombëtar “Gjuha dhe letërsia arbëreshe”, mbajtur në Universitetin e Europës Juglindore (UEJL) në Tetovë të Mqedonisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›