E Diel, 1 Nëntor 2026

Banorët e Bicajt: Jetojmë me frikën e shembjes së banesave

 

Banorët e komunës Bicaj në Kukës, në protestë për shfrytëzimin e rërës karbonatike që po u rrënon banesat

Nga shfrytëzimi pa asnjë kriter rrezikohet shembja e shkollës dhe jeta e 500 nxënësve. Në rrezik edhe rrugët, varrezat dhe disa shtëpi të fshatit

Kukës-Qendra e komunës Bicaj, në Kukës rrezikohet nga erozioni dhe nga tronditjet e fuqishme, të shkaktuara nga shfrytëzimi pa kriter prej rreth 25 vjetësh të rërëskarbonatike për ndërtim. Banorët jetojnë me frikën e shembjes së shtëpive, por në zonën më kritike është shkolla 9-vjeçare “Vehbi Shehu”, ku mësojnë përditë 500 nxënës. Ata janë mbledhur në një tubim proteste ku u kanë kërkuar drejtuesve të komunës, por edhe autoriteteve më të larta shtetërore që të ndërhyjnë për të parandaluar këtë katastrofë, që i kanoset këtij fshati nga shfrytëzimi pa kriter i rërës.

Komuna

Të njëjtin mendim me banorët ndajnë edhe drejtuesit e komunës së Bicajve. Këshilli ikomunës ka nxjerrë një vendim për ndërprerjen e shfrytëzimit të rërës nga subjektet që e shfrytëzojnë atë, që në gusht të vitit kaluar, por ky vendim nuk është ekzekutuar, pasi sipas drejtuesve të komunës, nuk ka instrumente për bllokimin e shfrytëzimit të rërës në fshat. Ata i kanë kërkuar ndihmë ministrisë së Brendshme, Mjedisit dhe Transporteve për ndërprerjen e shfrytëzimit të rërës. Sipas nënkryetarit, Arben Shehu, më parë ngarkoheshin deri në 100 kamionë të mëdhenj me inerte, ndërkohë që aktualisht ky proces është minimizuar, por duhet ndërhyrja e shtetit që të ndërpresë shfrytëzimin.

Protesta

Banorët e fshatrave Canaj, Osmanaj, Mustafaj që përfshihen në komunën Bicaj dhe që preken direkt nga shfrytëzimi pa kriter i rërës karbonatike të Bicajve janë mbledhur në një tubim proteste. Ata i janë drejtuar me një letër të hapur Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Arsimit, Drejtorisë së Krimit Ekonomik pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Kukësit, deputetit ë zonës si dhe mediave. “Duke parë se po na kanoset një katastrofë mjedisore dhe nuk po merret asnjë masë parandaluese si nga pushteti vendor, por edhe nga kryepleqësitë e fshatrave na lind e drejta të vendosim vetë për fatet tona. Ne kërkojmë që të parandalojmë këtë katastrofë që po na kanos çdo ditë, ku po jetojmë me ankth dhe frikë. I lutemi zotit që të mos çojë ndonjë tërmet se atëherë do të hynim në historinë e zezë duke u marrë jetën rreth 500 nxënësve nga shembja e shkollës”-,thuhetnë fillim të letrës së protestuesve të këtyre fshatrave. Përfaqësuesit e fshatrave kërkojnë parandalimin e menjëhershëm të shfrytëzimit të rërës dhe kthimin te komuniteti i pronës së përbashkët të grabitur nga një grup personash.

Pasojat

Sipas banorëve, nga ky shfrytëzim barbar është në rrezik të shembet shkolla 9- vjeçare “Vehbi Shehu” Bicaj, varrezat e fshatit Canaj, rruga nacionale që lidh Dibrën me Kukësin ku gati është bërë e pakalueshme, rruga e fshatit Mustafaj etj. Ndërkohë që nga prishja e strukturës të mjedisit ka ndikuar negativisht në burimet hidrike të fshatrave Canaj dhe Osmanaj, pasi rëra që është shfrytëzuar është një rezervuar i ujërave nëntokësore. “ Si pasojë e prishjes së mjedisit, krojet e fshatit dhe puset janë në rezervat e fundit të ujit”- thonë banorët. Përfaqësuesit e protestuesve kanë kërkuar pezullimin e menjëhershëm të shfrytëzimit të rërës, projekte për zhvendosjen e shkollës dhe madje edhe të varrezave. Ata kanë kërkuar nga komuna që të deklarojë të ardhurat që janë derdhur në arkën e komunës nga shitja e rërës që nga viti 1992 e në vazhdim, si dhe nxjerrjen para ligjit të atyre personave që kanë mbështetur ata individë që kanë shkatërruar mjedisin. Sipas tyre, rëra duhet të shfrytëzohet në bazë të një studimi, me tender të hapur dhe me çmime të përcaktuara të referencës dhe të ardhurat të shkojnë në dobi të komunitetit.

Riza Halilaj, banor i fshatit

Nëse do shfrytëzohet për inerte, qeveria të shpërngulë njerëzit

Inertet në Bicaj janë shfrytëzuar prej 20 vjetësh pa ndërprerje. Kështu thotë Riza Halilaj, një nga banorët e fshatit. Sipas tij, aty do të bëhet një gërmadhë, pasi janë shkatërruar shtëpi, e së fundi edhe varrezat. “Qeveria duhet të vërë dorë me urgjencë. Nëse vendoset që në këtë zonë të shfrytëzojnë inertet, atëherë duhet të shpërngulen njerëzit. Para disa vitesh kanë vdekur duke punuar për të nxjerrë rërë trevëllezër dhe askush nuk mbajti përgjegjësi për ta. Ende kemi dhimbjen e tyre, por kërkojmë që të mos na shtohen dhimbje të reja”,- thotë ai, duke kujtuar se në gropat e hapura kanë humbur bagëti, e tani rrezikohet të humbasin edhe njerëz. “Kërkojmë që rëra të shfrytëzohet me kriter dhe shfrytëzuesit ta kthejnë tokën në gjendjen e mëparshme, që këtë bukuri që na ka falë zoti të mos na e marrin robt e tij”,- thotë ai.

Shpëtim Kërxhaliu:Poshtë shkollës janë krijuar gremina

“Jemi të rrezikuar”. Këtë fjalë që e thonë gjithë banorët e përsërit edhe Shpëtimi, njëri syresh. Sipas tij, nuk mund të marrë kushdo rërën. ”Janë krijuar gremina të thellaposhtë shkollës dhe poshtë varrezave. Ky është një krim. Kjo është një tokë e përbashkët e gjithë fshatit”,- thotë ai, duke kërcënuar me bllokim të rrugës nëse nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë e këtij problemi. “Po na lënë pa ujë të pijshëm, po na lënë pa rrugë. Këshilli i komunës ka marrë një vendim që të ndalohet shfrytëzimi i rërës dhe nuk zbatohet vendimi. Ku është ky shtet”,- thotë ai.

Nënkryetari i komunës, Arben Shehu, mbështet ankesën e banorëve për shfrytëzimin e rërës në komunë

Shehu: Nuk kemi mekanizma për ndërprerjen e aktivitetit

Zoti Shehu, si qëndron problemi i shfrytëzimit të rërës në fshatin Bicaj?

Rëra në fshatin Bicaj e krijuar për shkaqe vullkanike ka filluar të shfrytëzohet që pas viteve 80-të nga ndërmarrja e Ndërtimit në Kukës. Por problemet kanë lindur pas fillimit të punimeve në autostradë dhe në tunelin e Kalimashit, ku kërkesat për inerte janë shumë të mëdha. Duke parë këtë fluks kërkesash gjithnjë në rritje Këshilli i Komunës Bicaj, në muajin gusht të vitit 2007 ka marrë vendimin për pezullimin e shfrytëzimit të rërës karbonatike, e cila realisht është shfrytëzuar dhe po shfrytëzohet pa asnjë kriter, apo plan studimor. Këtë vendim ne ia kemi bërë të njohur edhe subjekteve që shfrytëzojnë rërën në Bicaj, duke i paralajmëruar që të ndërpresin shfrytëzimin. Pra jemi ne të parët pas 20 vjetësh që kërkuam ta disiplinonim shfrytëzimin e rërës dhe jo protestuesit.

Pse nuk është zbatuar vendimi iKëshillit të Komunës ?

Më parë këtu ngarkoheshin rreth 100 kamionë të mëdhenj me rërë, ndërkohë që sot kjo shifër ka rënë 10 herë më pak. Pra kemi pasur një rënie të konsiderueshme të fluksit dhe jo ndërprerje të saj. Për sa i përket zbatimit të vendimit të Këshillit të Komunës kanë munguar mekanizmat përkatëse për zbatimin e këtij vendimit, pasi ne nuk kemi mundur të ngremë KRT-në e komunës dhe këto funksione i kemi deleguar në qark. Megjithatë, në fillim të këtij muaji, ne kemi njoftuar të gjitha institucionet me anë të shkresave siç janë Prefektura e Qarkut, Drejtoria e Policisë, Prokuroria, Ministria e Mjedisit, Ministria e Brendshme.

A janë nën kontroll subjektet që merren me këtë aktivitet?

Subjektet kryejnë një veprimtari të pakontrolluar dhe në kundërshtim me ligjet. Vendi i shfrytëzimit është një tokë e përbashkët e të gjithë fshatit në përgjithësi. Subjektet pretendojnë se e kanë blerë tokën dhe e kanë të ligjshme që ta shfrytëzojnë. Disa e kanë me dokumente si tokë të tyren. Por në bazë të ligjit shfrytëzimi i tokës bëhet vetëm 30-40 centimetër thellësi, ndërkohë që aktualisht shfrytëzimi ka shkuar deri në thellësinë e 80 apo 100 metrave.

Cilat janë planet tuaja për disiplinimin e këtij fenomeni me pasoja të paparishikuara për fshatin Bicaj?

Ne i kemi kërkuar Ministrisë së Transporteve dhe asaj të Mjedisit akordimin e një fondi dhe dërgimin e një grupi specialistësh për ta parë çështjen në vend dhe për të përcaktuar të ardhmen e këtij fenomeni. Ne mendojmë që të ketë një plan studimi që do ta përgatisin specialistët përkatës. Këta specialistë duhet të përcaktojnë objektin që do të shfrytëzohet. Shfrytëzimi do të bëhet me tender, ku subjektet janë të detyruar të kthejnë në gjendje të mëparshme tokën e shfrytëzuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›