Taksitë, qeveria, urdhër për caktimin e çmimeve
Ministria e Financave dhe ajo e Transporteve i kërkojnë bashkive të vendosin tarifat e taksimetrin
Gjoba për taksitë që nuk vendosin taksimetër, tarifat të vendosura nga ana e Këshillit Bashkiak
Me anë të një urdhri të nxjerrë, dy ministri kërkojnë që të vendosin rregull në çmimet që aplikojnë taksitë në të gjithë vendin. Vendimi që tashmë ka hyrë në fuqi, i lë në dorë Këshillave Bashkiakë që të vendosin çmimet për shërbimin taksi, nëpërmjet vendosjes së taksimetrit. Udhëzimi përcakton se bashki të ndryshme mund të kenë tarifa të ndryshme, sipas një sërë faktorësh lokalë që ndikojnë në çmimet e shërbimit. Njëkohësisht, në këtë aktivitet pritet që të futen faturat për herë të parë. Por pavarësisht këtij urdhri, që kërkon të vendosë një rregull në çmimet e shërbimit të taksive, situata në të vërtetë është kaotike. Taksitë jo vetëm që kanë çmime të ndryshme për të njëjtin shërbim, por një numër i madh i tyre punojnë pa licencë përkatëse. Taksistët me licencë shprehen se kolegët e tyre që punojnë në të zezë, kanë favore të mëdha pasi ata nuk paguajnë taksa dhe njëkohësish nuk kanë asnjë lloj standardi në shërbimin që ofrojnë. Ndërkohë, taksistët kërkojnë që të përcaktohen vendparkimet dhe vijat e bardha, ku të kenë të drejtën të qëndrojnë vetëm taksitë. Ata deklarojnë se këto taksi të palicencuara nuk paguajnë asnjë takës, ndaj kanë dhe një avantazh të madh jo të drejtë ndaj tyre. Ndërkohë dhe shoferët e autobusëve kërkojnë të drejtat e tyre, pasi ata janë në një konkurrencë të padrejtë me furgonët 8+1, të cilët jo vetëm që janë të palicencuar, por nuk respektojnë dhe ligjet, pasi, sipas një ligji të Ministrisë së Transporteve, furgonët duhet të kthehen bosh për në vendin e origjinës.
***
Nxjerrja e këtij urdhri nga ana e Ministrisë së Financave dhe ajo e Transporteve, shfuqizon urdhrin e vendosur më parë për operimin e këtij shërbimi. Në këtë udhëzim, dy ministritë e mësipërme kanë dhënë edhe një bllok çmimesh që mund të merren si referencë nga ana e bashkive dhe një metodikë që ka në përbërje të saj, caktimin e çmimit të shërbimit taksi. Taksimetrat që do të përdoren në shërbimin taksi, do të jenë të kalibruar nga një strukturë e veçantë që merret me Metrologjinë. Sipas urdhrit të nxjerrë nga Ministria e Financave dhe ajo e Transporteve jepet një çmim reference, që mund të merret si bazë nga ana e bashkive në kalibrimin e taksimetrave, duke përcaktuar një tarifë prej rreth 300 lekë për një gjatësi deri në 2 kilometra. Njëkohësisht në këtë urdhër jepen edhe një sërë tarifash të tjera, për të orientuar Këshillat Bashkiakë në të gjithë vendin, në çmimet që ata do të vendosin në bashkëpunim me përfaqësues të taksistëve. Kështu, tarifa që jepet për kohën e pritjes së një taksie është 1 900 lekë të reja, tarifa për lajmërimin e taksisë 50 lekë. Ndërsa për zonat që janë jashtë qyteteve, udhëzimi jep çmimet që mund të aplikohen nga ana e bashkive, që janë më të larta se ato që zbatohen brenda zonave urbane. Tarifat maksimale, sipas udhëzimit, për distancat deri në 2 kilometër, jashtë qyteteve dhe zonave të tjera urbane, nuk duhet që të kalojnë 350 lekë. Udhëzimi përcakton në mënyrë të ngjashme edhe kriteret e tjera që mund të përdoren në përcaktimin e çmimeve që do të kalibrohen taksimetrat, duke marrë parasysh kohën e udhëtimi ose kilometrat e bëra.