E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulimet e naftës bëjnë ballkanasit të ëndërrojë

 

Nga Bosnja, në Shqipëri e Greqi, njoftimet për zbulim nafte prodhojnë lajme euforike, por asgjë më shumë

“Naftë” është një fjalë magjike që të sjell ndër mend princërit arabë që zbritën nga deveja për të hipur në makina luksoze, e dolën nga çadrat, për të hyrë në qiellgërvishtësit përrallorë. Por e njëjta fjalë nënkupton për vendet konsumuese, stres.

Kjo magji duket se mbërthen edhe Ballkanin herë pas here. Pas “zbulimeve” në Shqipëri në janar të këtij viti, të mërkurën e kaluar, gazetat e Bosnjës njoftuan se mund të gjenden 3 miliardë fuçi naftë, ndërsa Mali i Zi ka hapur një tender për të dhënë me koncesion kërkimin për burime nafte në Gjirin e Bunës, në det. Në Greqi, një profesor në Universitetin e Patrës shtron pyetjen: Në Shqipëri ka gaz dhe naftë, por a ka edhe në Greqi? Në total, i gjithë Ballkani ka burime nafte dhe gazi, në sasi të papërfillshme. Vetëm kompania kroate “Ina Naftaplin” ka investuar në burime nafte jashtë rajonit të Ballkanit.

Në Bosnjë

Bosnja dhe Hercegovina ka mundësi të ketë rezerva të mëdha nafte, deklaroi të mërkurën e shkuar një ekspert vendës i cituar nga agjencia e lajmeve “Balkaninsight”. Dekani i Fakultetit të Teknologjisë dhe Minierave në qytetin verior të Tuzlës, Abdullah Basiç, deklaroi para gazetarëve vendës, se rreth 500 milionë tonë naftë mund të gjenden në lokalitete të ndryshme në Bosnjën veriore në thellësi nga 4 mijë, në 6 mijë metra.

Komentet e tij pasuan një aksident të ndodhur në 12 majin e shkuar, kur një burrë që po hapte një pus uji, hasi në basen gazi natyror. Gazi mori flakë dhe dëshmitarët thanë se flakët qenë ngritur deri në 20 metra lart.

Edhe në të shkuarën, media vendëse ka folur herë pas here për mundësinë e baseneve naftëmbajtëse në këtë vend. Sipas vendësve, “British Petroleum”, “BP” dhe kompani të tjera kanë qenë të interesuara për burimet e naftës në Bosnjë që para lufte. Ata kanë kryer kërkime gjeologjike dhe sizmike. Sipas Basiç, “studimet kanë treguar se Bosnja mund të ketë burime nafte, po aq sa Iraku apo Arabia Saudite”.

Edhe Mali i Zi nis kërkimet

Vitin e kaluar, qeveria e Malit të Zi deklaroi se do të japë licenca koncesionare për të filluar kërkimet për naftë e gaz në këtë vend. Sipas ekspertëve qeveritarë, nëse gjendet naftë, ekziston mundësia që aty të ketë 7 miliardë fuçi naftë, si dhe 425 miliardë metër/kub gaz. Strategjia e hartuar me ndihmën e ekspertëve Sllovenë, thotë se “mund të ketë naftë”. Për investitorët është ofruar sakaq zona detare pranë Ulqinit për fillimin e kërkimeve.

Greqi

Një studim i Universitetit të Patras, vë në dukje se përbërja gjeologjike dhe historia gjeologjike e Greqisë së veriut është e njëjtë me atë të Shqipërisë së jugut. Për pasojë, përderisa në Shqipërinë e jugut ka naftë, duhet të ketë edhe në Greqinë e veriut. Në fakt, në Greqi ka vetëm një zonë naftëmbajtëse, të zbuluar në vitin 1973, por që gjithsesi është një burim shumë i vogël.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›