E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta dhe gazi shqiptar drejt shterimit

 

Lajmet për “zbulime” fantastike, lënë mënjanë realitetin, shterimin e burimeve vendëse të naftës

Një raport i Ministrisë së Ekonomisë, vë në dukje se nga nëntoka shqiptare është nxjerrë deri tani 64% e rezervës fillestare të disponueshme të naftës, ndërsa për gazin, burimet ekzistuese janë pothuajse tërësisht të shteruara. Sipas raportit, rezerva e naftës që mund të nxirret me teknologjinë ekzistuese është rreth 30 milionë tonë, e cila është e barabartë me më pak se 10 vite konsum. Shqipëria prodhoi rreth 600 mijë tonë naftë gjatë vitit të kaluar, por prodhimi po rritet shpejt dhe burimet nuk do të jetojnë për shumë kohë. Kompania kanadeze që shfrytëzon burimin e Patos-Marinzës, i cili është burimi më i rëndësishëm i naftës shqiptare, parashikon që rreth vitit 2025, nafta të mbarojë.

Shqipëria ka nxjerrë deri tani 51 milionë tonë naftë bruto. Rezerva gjeologjike përmban edhe 437 milionë tonë, por teknologjia ekzistuese nuk lejon nxjerrjen e kësaj sasie. Gjatë muajve të fundit, njoftimet mbi mundësinë e gjetjes së burimeve të reja të naftës kanë shkaktuar eufori. Një kompani e vogël njoftoi se ka zbuluar rreth 3 miliardë fuçi naftë. Edhe kryeministri Berisha, e përmendi këtë zbulim në një nga fjalimet e tij të shumta në takimet me popullin në Jug. “Kemi lajme shumë të mira nga zbulimet e naftës”,- tha ai pa dhënë detaje.

Një kompani tjetër deklaroi pak ditë më parë në Tiranë se ka ndër mend të investojë 200 milionë dollarë në nxjerrjen e naftës dhe gazit, si dhe 300 milionë dollarë të tjera për ndërtim termocentralesh gazi. Por këto lajme janë tani për tani thjesht aludime, nëse naftë do të ketë. Tani për tani, ajo që është zbuluar, është vetëm lajmi i publikuar në media.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›