E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano u bën thirrje deputetëve të PS: Bëhuni dalëzotsa, më mbështesni për të garuar. Nesër raundi i tretë

Share

Fatos Nano ka reaguar sërish nëpërmjet zëdhënësve të vet, në lidhje me procesin e zgjedhjes së presidentit. Nano ka thënë se hezitimi i Ramës për të mos nxjerrë asnjë kandidat nga PS, është i paarsyetuar.

Nano u bën thirrje Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, Kryetarit të Grupit Kuvendor të PS, Gramoz Ruçi, dhe drejtpërdrejt të gjithë deputetëve të Gurpit Kuvendor të PS që të marrin vendime të drejta në tejkalimin e këtij ngërçi politik të stërzgjatur, duke i dhënë Shqipërisë Presidentin më të mirë, i cili do të jetë mbi palët, garant i Kushtetutës, mbrojtës i institucioneve të pavarura, simbol i unitetit kombëtar, jo noter partish, do të garantojë realizimin e reformave që do të përshpejtojnë procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, por edhe do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme në vitin 2013.

Ai ka theksuar më tej se prej javësh PS nëpërmjet Kryetarit Rama ka adoptuar qëndrimin për një proces amorf, nëpërmjet të cilit do të shkohet tek një kandidat konsensual. Prej javësh është vënë re këmbëngulja e paarsyetur e zyrës së Ramës, se kjo parti nuk ka emër për të propozuar ngase PS është pakicë, nuk ka numrat për ta zgjedhur Presidentin, se PS synon vetëm konsensusin me kandidatet e maxhorancës, e të tjera deklarata të tilla vetëpërjashtuese të opozitës nga vendimmarrja parlamentare, thuhet në një deklaratë të zëdhënësve të Nanos.

Jemi në prag të provimit të tretë për të marrë statusin e vendit kandidat për në BE, por politizimi i tepruar, mungesa e mirëbesimit mes palëve, mbytja e garës dhe konkurrencës së lirë, nxitja e konfliktualitetit, e llogorizimit, e militantizmit shterpë, apo e klientelizmit privat te kryetareve, po e lëvizin Shqipërinë jashtë aksit të meritës për ta kaluar me sukses këtë provim. Rrezikojmë seriozisht të bëhemi vendi i vetëm, 3 herë i rrëzuar nga BE, ndërkohë që rekordin e kemi thyer duke i humbur dy vitet pararendëse, thuhet më tej në deklaratë.

“Eshtë në nderin tuaj si deputetë të PS, por është edhe në nderin e PS e të drejtuesve të saj aktualë që ta mbështesin kandidimin e Fatos Nanos për President të Republikes. Eshtë një mundësi e madhe për PS që e ka pranë saj, pjesë të historisë së saj, në traditën e saj ofertën më të mirë për Presidentin më të mirë. Fatos Nano i ka të gjitha mundësitë të jetë President konsensual pra i mirëbesuar,  bashkëvendosur dhe bashkëvotuar nga shumica dhe opozita, ose President i zgjedhur nga një garë e lirë dhe e ndershme me rregulla e vullnete konsensualisht të bashkëvendosura për ta lejuar këtë garë si të tillë. Mbështesni Fatos Nanon për President që ta rrisni PS duke e lartësuar Presidentin. Fatos Nano është dalëzots dhe i fton gjithashtu deputetët e PS që të bëhen dalëzotsa, duke i dalë për zot dinjitetit të tyre, integritetit të tyre, Partisë Socialiste, demokracisë shqiptare, lirisë e drejtësisë, si edhe mbarëvajtjes së punëve në Shqipëri në mënyrë që të gjithë së bashku ta festojmë 100 vjetorin e Pavarësisë edhe me statusin kandidat në BE të fituar.”

Sakaq, mazhoranca vendosi sot në Kuvend me votat e veta, që raundi i tretë për zgjedhjen e presidentit të mbahet ditën e nesërme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›