PS letër Naços: Kromi në duart e mafies
Tetë deputetë të PS-së i kanë drejtuar, përmes një letre zyrtare, 23 pyetje ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, lidhur me minierën e Bulqizës.
TIRANË Përmes një letre zyrtare të depozituar në kryesinë e Kuvendit, tetë deputetë të PS-së i kanë kërkuar ministrit të Ekonomisë, Nasip Naço, informacione zyrtare lidhur me minierën e Bulqizës. “Edhe pse greva e minatorëve mori fund pak kohë më parë me një marrëveshje ndërmjet Sindikatës dhe Shoqërisë Koncesionare ACR duke i dhënë vetëm zgjidhje të përkohshme problemeve të vetë minatorëve, familjeve të tyre, qytetit dhe banorëve që jetojnë me galeritë e minierës, fakte të njëpasnjëshme më kokëfortë sesa justifikimet politike Tuajat, të Kryeminsitrit e të Qeverisë, na lënë të kuptojmë se zgjidhja përfundimtare është më larg se kurrë, siç është rreziku fatal më afër se ndonjëherë më parë. Minatorët vazhdojnë humbin jetën në galeritë e minierave. Vetëm gjatë këtij muaji kanë humbur jetën mbi 5 minatorë...”, - thuhet në letrën e deputetëve të PS-së. Deputetët Saimir Tahiri, Blendi Klosi, Eduard Shalsi, Arion Muçaj, Ndue Kola, Anduel Xhindi, Artan Gaci dhe Besnik Baraj shkruajnë në letër se “ka dyshime serioze sipas të cilave grupe tërësisht mafioze e të veshura me pushtet kontrollojnë shfrytëzimin dhe tregtimin e mineralit, duke përdorur minatorët si skllevër e pasurinë kombëtare si mall pa zot”. Deputetët citojnë se galeritë e minierave janë shndërruar në kampe përqendrimi të kohëve moderne. Deputetët radhisin në letrën e tyre disa pyetje, përgjigjet për të cilat i duan brenda 15 ditëve nga marrja e kërkesës. “Sa janë minatorët që kanë humbur jetën në galeritë e minierave nga viti 2000 deri sot? Cila është pozita ligjore e kompanisë ACR në raport me shtetin shqiptar? Cili është kontraktori i vërtetë? Vazhdon Darfo me nënkontraktor ACR apo është ACR që zëvendëson Darfo me ndryshim emri? Darfo SRL dhe Darfo SPA janë e njëjta kompani, apo dy të ndryshme? Cili është aktiviteti ekonomik i ACR nga viti 2000, kur është regjistruar për herë të parë si person juridik, deri më 2007 kur filloi biznesin e mineralit në Bulqizë? Sa është prodhimi i mineralit të kromit në Minierën e Bulqizës? Sa është fitimi i deklaruar i koncesionarit kryesor në Bulqizë? Sa është numri total i subjekteve të licencuara që shfrytëzojnë pasuritë minerare të Bulqizës? Në dijeninë tuaj, sa është numri i subjekteve që punojnë pa asnjë licencë? Miniera e Kromit Bulqizë a është shpallur si minierë me regjim gazi?”, janë disa nga 23 pyetjet që deputetët e PS-së i kanë kërkuar ministrit të Ekonomisë që të japë përgjigje.