E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nano, Presidenti i kompromisit!

Nga Vladimir Lame

Fusha politike aktuale shqiptare e vrojtuar nga Uashingtoni dhe Brukseli po shkon drejt konsensualitetit. Mbi 84 vota, një zgjidhje e cila dukej larg, tashmë me pozicionimin e qartë të PS nëpërmjet numrit dy, Ruçi në TCH ka marrë një drejtim që shkon shumë larg prodhimit të gatshëm Zaganjori. Socialistët kanë befasuar gjithkënd në prag të raundit të dytë presidencial. Pas një raundi bosh, pa kurajon e duhur nga mazhoranca për të hedhur me firma emrin e përzgjedhur prej tyre ne kutitë e parlamentit, opozita ka një sfidë reale për kryeministrin.

Një figurë reale, ish liderin e tyre historik Fatos Nano! I vetmi me një platformë të qartë presidenciale, me barazlargim nga palët dhe me një mbështetje të deklaruar euro-atlantike. Kredenciale ndërkombëtare të provuara nga ky shtetar i njohur në një arenë ku të gjithë aktorët aty janë prej 21 vjetësh. Aspak bashkëfajtor me ngjarjet pas 2005, Nano ka çfarë ju thotë shqiptarëve për realitetin politik që ai la pas ne sytë e të gjithëve këto shtatë vjet!

Ardhja ne Tirane për pak ditë e Drejtorit të Përgjithshëm për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Stefano Sanino pikërisht për të parë se çfarë mund të behet për një kompromis mes palëve për presidentin ka bërë nul kandidaturën e njëanshme aspak të negociuar Zaganjori. Politika e faktit të kryer, një personalitet krejt të bindur, shkon shumë larg portretit që ndërkombëtarët prisnin për presidentin e Shqipërisë.

Momentumi i një thellimi të mosmarrëveshjeve në shumë pika rreth të ardhmes politike të reformave kur mbetet pezull provimi i vjeshtës po afron kërkon në skenë një personalitet të fortë të sprovuar politik. Kjo bëhet edhe me evidente kur aktorët e tranzicionit janë të gjithë aty në vendet e tyre. Një arsye më shumë për një kryenegociator aktiv në selinë e presidencës shqiptare. Fatos Nano u ka qëndruar kompromiseve me aktorët lokalë dhe ato ndërkombëtare. Koha larg skenës së përditshmërisë politike duket se i ka shërbyer ish-kryeministrit të fundit socialist të reflektoje mbi të kaluarën dhe të shohë më qartë të ardhmen e Shqipërisë. Nano mund t`i kishte sfiduar ata që la pas në parti duke vënë në lojë mekanizmin e tij konkurrues. Përgjegjësia e humbjes elektorale të 2005 u individualizua kur në kryesinë dhe qeverinë socialiste mund të gjendeshin lehtësisht fajtore e bashkëfajtorë. Elementë që kanë hyrë nga dritaret e socialistëve në kurriz të një opozitë të stërgjatë. Një opozitë që ka qenë këto vite në sytë e shqiptarëve dhe përtej.

Gjithsesi, Nano zgjodhi të propozojë një projekt të qartë presidencial dhe gjithëpërfshirës duke mbetur në karakterin e tij liberal-demokrat ku ka vend për tolerancë e bashkë veprim legal në dobi të progresit. Nano është ofruar sërish si një konkurrent dinjitoz që kërkon kompromis dhe jo imponim. Majtas Nano ka resurset e duhura të përballet pa mëkate nga dita kur pranoi rotacionin me kundërshtarin historik Berisha duke dorëzuar paqësisht stafetën me dosjen voluminoze të kabinetit të tij. Në një vit elektoral Fatos Nano është tashmë me motorët ndezur për të treguar se vitet që kaluan e kanë inspiruar sërish për të gjitha opsionet e mundshme politike. Aq më tepër në ish partinë e tij, në lodhjen skematike për të gjetur vetveten nga pasrendësi, me hapa të paqarta, por që ka moshën e kthjelltësinë e duhur mesa duket për të dalë në qartësinë e këtij momenti. Socialistët dhe të majtët e integruar përkohësisht në koalicionin e djathtë kanë përpara një sfidë kandidaturën presidenciale Nano u maksimalizon peshën e numrave për një alternativë ndryshe për tu konfirmuar.

Ndoshta pas një viti kur votuesit të thirren dhe lista Nano të mos ketë mbetur në Presidencë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›