Nano fut në sherr PSV 91. Petro Koçi: Bashkia e Tiranës, pas fushatës së Nanos
Fatos Nano ka arritur të përçajë të paktën një parti të majtë. Në një njoftim të Lëvizjes Nano President thuhet se PSV 91 mbështet Nanon për president. Partia, që dikur cilësohej si partia e mbështetësve të Nanos, në fakt është e katandisur si mos më keq. Deklaratën në mbështetje të Nanos në fakt e ka nënshkruar Sekretari i Përgjithshëm i partisë, Enver Reçi.
Fatos Nano është historia ku të gjithë ne socialistët duhet të bashkohemi dhe të gjejmë motivim e krenari për të shkuarën dhe të ardhmen tonë. Populli i majtë ka nevojë ta shohë të materializuar dhe të prekshëm këtë shans të madh të projektimit të një ribashkimi të së majtës. Mbështetja e kandidaturës së Fatos Nanos për President nga PS do të ishte mesazhi më i shkëlqyer i bashkimit të së majtës për të fituar zgjedhjet e vitit 2013, tha Reçi.
Por pas kësaj deklarate ka reaguar kryetari i PSV 91, Petro Koçi, i cili prej kohësh është pozicionuar përkrah Ramës, dhe që para pak ditësh deklaroi se Nano nuk ka shans as të zgjidhet president dhe as të bëjë katarsis.
Ky akt i bashkëpunuar me instrumente të kapur dhe të korruptuar politikisht në Bashkinë e Tiranës bie ndesh me integritetin dhe moralitetin e pretendimit të Fatos Nanos për të kandiduar në procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Kjo manovër vogëlushësh politikë dëshmon se sa e kalbur është sot politika në përgjithësi dhe sidomos projektet për biznes personal politik, shprehet Koçi në deklaratën shpërndarë mediave.