E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandidati i ri, përsëri nga Berisha- Meta

Share

Në listë një gjyqtare e afërt me Argita Berishën për të neutralizuar ambicien e Topallit

Xhezair Zaganjori e kishte thënë disa herë se do ishte në garë deri në raundin e tretë. Më pas e kishte lënë me dyshim. Berisha e kishte mbrojtur me zjarr emrin e tij, siç di të bëjë vetëm ai. Edhe Meta i kishte shkuar nga pas avazit Berishës. Kishin thënë se konsensusin e ka të fituar, nuk ka rëndësi pse opozita nuk e jep votën. Në publik dukej sikur Meta e Berisha kishin folur për përzgjedhjen e një kandidati bazuar mbi parimet. Por debati i tyre me dyer të mbyllura ishte i mbushur me fjalët prokurori, hetim e burg.

Të premten pas mesdite dukej se çështja e presidentit po mbyllej pa ndonjë surprizë. Por një telefonatë e kandidatit të pakandiduar për president për dy kanale televizive shqiptare i ndryshoi gjërat. Xhezair Zaganjori deklaroi se tërhiqej nga gara për president. Foli shkurt dhe i befasoi që të gjithë. Tha se nuk donte të bëhej pengesë për integrimin e vendit. Siç shprehet opozita.

I pari që doli nga mazhoranca ishte Ilir Meta. I zbehtë në fytyrë, ai foli gjëra pa shumë lidhje. Më pas në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se kishte një parandjenjë se Zaganjori do tërhiqej, por pranoi se as ia kishte idenë se do e ndërmerrte sot këtë veprim kur tha se para dy orësh ishte optimist se Zaganjori do merrte miratimin edhe të opozitës. Dhe që nga raundi i parë kur iu propozua kandidimi, ai u la krejt mënjanë. Është shpërfillur nga Berisha e Meta mu si për ta bërë të duket vërtet kukull të tyren.

Ndërsa Meta nxitoi të flasë, e shumë madje, por pa thënë në thelb asgjë, Berisha preferoi të nxjerrë përpara mediave një zëdhënëse që del sa herë kur duhet të thotë ndonjë broçkull pa shumë rëndësi për momentin politik. Duke tentuar të shpërfillë situatën, Berisha, që kishte humbur kandidatin konsensual sepse vetë kandidati mendonte se nuk ishte konsensual, tha se do e zgjedhë presidentin me aleatët. Dhe kështu pritet të ndodhë. Një tjetër emër gjykatëseje do jetë në tavolinën e bisedimeve. Sërish nga Kushtetuesja. Vitore Tusha, dikur një avokate që ka kryer punët e studios së Argita Berishës, mund të marrë konsensusin e mazhorancës.

Të shtunën paradite Berisha do jetë duke inauguruar tunelin e Kërrabës, kurse PS do të mbledhë kryesinë. I pari do bëjë sikur është i interesuar më shumë për zhvillimin e vendit, të dytët do bëjnë ndoshta tentativën e fundit në kërkim të kompromisit. Që duket sërish i largët. Por për Berishën e Metën kompromis është kur ata bien dakord. Berishës dhe PD i mjafton kjo për të ruajtur pushtetin. Metës i pëlqen të dalë çdo orë në ekran për të bërë sikur të gjithë palët ia kanë nevojën. Të gjithë tek mazhoranca do jenë të kënaqur. Me përjashtim të… Jozefina Topallit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›