Nano shpall Lëvizjen e re për zgjedhjet e 2013 në 21 vjetorin e PS
Zyrtarizohet lufta verbale e zotit. Nano ndaj kreut aktual të PS, Edi Rama. Pas dështimit për marrjen e postit të Presidentit, dështim për të cilin drejtoi gishtin nga Edi Rama, Fatos Nano në 21 vjetorin e themelimit të PS transformon lëvizjen “Nano për President” në lëvizjen “Nano për Fitoren e Socialistëve.”
Kjo lëvizje sipas Nanos synon përbashkimin e të gjithë popullit të majtë, i të gjithë popullit opozitar, për të fituar së bashku zgjedhjet në vitin 2013.
“Të inkurajuar e të nxitur nga numri i madh i mbështetësve nga Veriu në Jug, ne një grup përfaqësuesish të Partisë Socialiste, të shoqërisë civile, intelektualë dhe akademikë, të rinj e të reja, së bashku me z. Fatos Nano vendosëm që të krijojmë një grup kordinimi të Lëvizjes sonë të Re.”- thuhet në një njoftim për shtyp të shpërndarë nga kordinatori i Lëvizjes “Nano për Fitoren e Socialistëve”.
Më tej në deklaratë thuhet se kjo Lëvizje do të mbështesë të gjithë sensibilitetin e socialistëve të ndershëm në të gjithë Shqipërinë për ti dalë për zot fateve të Partisë Socialiste duke larguar Edi Ramën nga pozicioni që ai ka uzurpuar si Kryetar i pamerituar dhe humbës i palodhur.
“Ta largojmë humbësin përsëritës dhe kronik Edi Rama që të fitojmë kundër Sali Berishës në vitin 2013. Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve synon të bashkojë çdo socialist, çdo të majtë, por edhe të gjithë opozitarët me këtë Qeverisje dështake e të padrejtë, në mënyrë që së bashku të fitojmë zgjedhjet e vitit 2013. Socialistët, populli i majtë, opozitarët e sinqertë dhe të ndershëm me këtë Qeverisje, duhet të bëhen të gjithë bashkë. Bashkë e mundim Sali Berishën. Bashkë i fitojmë zgjedhjet në vitin 2013. Bashkë e bëjmë Shqipërinë fituese. Bashkë e bëjmë Shqipërinë Europiane.”- përfundon deklarata.