E Diel, 1 Nëntor 2026

Hakmarrje ndaj Ramës dhe Berishës, Nano nis lëvizjen për krijimin e një partie të re

Fatos Nano

Fatos Nano ka shpallur publikisht lëvizjen për krijimin e një partie në përfundim të ëndrrës presidenciale dhe në 21-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste. Ish-kryeministri i vendit pas zgjedhjes së Bujar Nishanit në postin e kreut të shtetit, ka lëshuar kritika të ashpra në drejtim të Berishës dhe Ramës. Krijimi i kësaj partie mund të rezultoi një tjetër fraksion brenda PS-së pasi thuhet se ajo do të krijohet “bashkë me një grup përfaqësuesish të Partisë Socialiste”.

Qëllimi i Lëvizjes Nano për Fitoren e Socialistëve është pë bashkimi i të gjithë popullit të majtë, i të gjithë popullit opozitar, për të fituar së bashku zgjedhjet në vitin 2013. Njëkohësisht kjo Lëvizje do të mbështesë të gjithë sensibilitetin e socialistëve të ndershëm në të gjithë Shqipërinë për ti dalë për zot fateve të Partisë Socialiste duke larguar Edi Ramën nga pozicioni që ai ka uzurpuar si Kryetar i pamerituar dhe humbës i palodhur. Ta largojmë humbësin përsëritës dhe kronik Edi Rama që të fitojmë kundër Sali Berishës në vitin 2013, thuhet në një komunikatë për shtyp të shpërndarë nga Arian Galdini, koordinator i kësaj lëvizjeje.

Që pas largimit nga drejtimi i PS-së në vitin 2005, Nano vazhdimisht ka kritikuar kreun e saj, Edi Ramën. Para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, Nano ndërmori lëvizjen të ashtuquajtur për bashkimin e të majtës, duke zhvilluar takime me kreun e LSI-së dhe disa parti të tjera periferike të së majtës.

Ajo që vihet re në këtë komunikatë, është se Nano nuk zotohet vetëm për hakmarrje nga Ramës por edhe ndaj Berishës, të cilët nuk e mbështetën për president. Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve synon të bashkojë çdo socialist, çdo të majtë, por edhe të gjithë opozitarët me këtë Qeverisje dështake e të padrejtë, në mënyrë që së bashku të fitojmë zgjedhjet e vitit 2013. Bashkë e mundim Sali Berishën. Bashkë i fitojmë zgjedhjet në vitin 2013. /F.S/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›