Nata e rrezikshme për lojë

Kapiteni i Interit, Javier Zanetti ka kundërshtuar ndeshjet e mbrëmjes gjatë muajve të ftohtë të dimrit. Ikona argjentinase bëri komente pas fitores 2-1 ndaj Genoas në Coppa Italia të enjten mbrëma, takim i cili filloi në orën 21.
“Është shumë e rrezikshme, sidomos kur është kaq ftohtë”, tha Zanetti për Inter Channel pas ndeshjes. “Ne nuk do të duhej të luanim në mbrëmje dhe nuk e them këtë vetëm për Interin, por për të gjitha skuadrat”, shtoi ai.
Duke kthyer vëmendjen te ringjallja e Interit, Zanetti këshilloi bashkëlojtarët e tij të vazhdojnë me formën që kanë treguar në dy muajt e fundit.
“Ne kemi gjetur vazhdimësinë dhe jemi duke e bërë këtë. Tani duhet të përqendrohemi të mposhtim Lazion të dielën e më pas na pret Napoli në Coppa Italia, njësoj si vitin e kaluar. Të shpresojmë se do të na sjellë fat”, përfundoi ai.
Inter të dielën e kaluar mposhti Milanin 1-0 në derbin e qytetit dhe u afrua në pesë pikë ndaj Rossonerëve si dhe gjashtë prapa liderit, Juventus.