Edmond Haxhinasto: “Presidenti, brenda raundit të tretë - PS të reflektojë”

“Dëshirojmë që të arrihet terreni i përbashkët, një pikëtakimi mes faktorëve politik, përpara se të shkohet në raundet me shumicë të thjeshtë”
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto rikonfirmon qëndrimin e mazhorancës për zgjedhjen e presidentit në rrugë konsensuale, gjatë 3 raundeve të para. Për nënkryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, kandidatura e mazhorancës, Xhezair Zaganjori është me profil jo politik dhe se përbën një shtysë pozitive për të ndërtuar konsensusin. “Vullneti politik i palëve, është rëndësi parësore për procesin. Mendoj se koha është e nevojshme për reflektim politik. Komisioneri Fyle ka theksuar vazhdimisht se klasa politike duhet të veprojë me konsensus, për të realizuar 12 rekomandimet e Bashkimit Evropian. Procesi i zgjedhjes së presidentit kërkon angazhimin e të gjitha palëve politike. Kemi një kandidat, Xhezair Zaganjori të propozuar nga mazhoranca. Ajo që duhet parë dhe analizuar është se si i kontribuoi kjo kandidaturë procesit. Edhe ky profil i kandidatit ndikon te procesi. Nuk është përfaqësues politik i asnjë force politike, u arrit konsensusi mes faktorëve të mazhorancës, me profil jo politik që besoj se përbën një terren të përbashkët për të shqyrtuar edhe konvergjencat e opozitës, për ato që ajo pretendon. Ajo që ka kërkuar LSI, ka qenë që, të kishte dialog, të kishte konsulta për një proces sa më transparent. Urojmë që procesi të marrë cilësitë e tij, ashtu siç është konceptuar, një terren i përbashkët ku të ndërtohet konsensusi dhe t’i jepet konsensusi i duhur kandidatit. Dëshirojmë që të arrihet terreni i përbashkët, një pikëtakimi mes faktorëve politik, përpara se të shkohet në raundet me shumicë të thjeshtë. Është qëllim i LSI-së që, të mos shkojmë në vendosjen e një presidenti me shumicë të thjeshtë. LSI është shprehur shumë qartë se procesi i presidentit është aq i rëndësishëm sa kërkon edhe fokusimin e të gjithë faktorëve politik shqiptar”, u shpreh zëvendëskryeministri Haxhinasto. Lidhur me një takim të mundshëm mes liderit të mazhorancës, Sali Berisha dhe kreut të opozitës, Edi Rama, Haxhinasto tha se “ky takim duhet të ndodhë”.
“Duhet të jetë një proces shumë i natyrshëm dhe them se nuk duhet të përbëjë lajm një takim i tillë. Procese të tilla zhvillohen edhe në bazën e një komunikimi, apo dialogu, që në fakt ka munguar. Por, s’duhet të përbëjë lajm,në mënyrë që procesi të jetë më i natyrshëm. LSI ka patur një rol që duhet vlerësuar dhe uroj që produkti të jetë një president që t’i shërbejë të gjithë shqiptarëve, t’i shërbejë vendit dhe sfidave të integrimit të vendit. Pra, kualifikimi i Shqipërisë në një fazë të re, në rrugën e integrimit Evropian”, tha ai.
Duke u ndalur te qëndrimet e kryetarit të Partisë Socialiste, për lënien menjanë të çështjeve si zgjedhja e Presidentit apo realizimi i reformave, por për fillimin e kryqëzatave dhe rrëzimin e qeverisë, numri 2 i qeverisë e cilësoi si sjellje irracionale.
“PS s’duhet të vendosë kushte në këtë proces, por duhet të tregohet e hapur për dialog në mënyrë që t’i japim vendit një president me konsensus sa më të gjerë. E rëndësishme është gjithëpërfshirja e faktorëve politik në të”.
Takimi i Metës me Ramën, për zëvendëskryeministrin Haxhinasto ishte shtysë për dialog dhe konsensus.
“LSI, në vendimet e saj tepër të rëndësishme, sikurse ajo e pjesëmarrjes në koalicion, ka qenë ruajtja e stabilitetit dhe marrja e përgjegjësive kombëtare, siç ishte realizimi i vizave. Edhe tani ka këtë objektiv madhor, që prevalon mbi të tjerët, që t’i japë vendit një konvergjencë të zhvillimeve politike, t’i japë vendit mbushje të vakumeve të shkaktuara nga polarizimi i theksuar politik. Kjo cilësi e LSI-së del në ato momente kur vendi ka nevojë për këto”.