E Diel, 1 Nëntor 2026

Nausicca Policicchio sjell ”Salome”-në e Oscar Wilde-it në Tiranë



Izaura Ndoj
”Thellë brenda meje, një pjesë e imja mbetet gjithmonë balerinë, edhe kur këndoj, pasi artisti ka shpirtra të ndryshëm, dua të them që të këndosh ‘Salome’ për mua është sikur të shprehem me dy pasionet, shpirtrat e mi që kam gjithmonë”. Kështu është shprehur Nausicca Policicchio, sopranoja italiane që vjen për herë të parë në Shqipëri me rolin e Salomesë, veprën madhështore të Shtrausit sipas Oscar Wilde-it, me regji të Patrizia Panton-it. Jeta artistike e saj si soprano ka qenë mjaft e pasur dhe e arrirë, pasi ka mundur të debutojë role shumë të rëndësishme në shfaqje dhe të bashkëpunojmë me artistë të mëdhenj të skenës botërore. Sipas sopranos, ky bashkëpunim për të vënë në skenë Salomenë është një sukses i vërtetë, pasi është një shkëmbim kulturash dhe secili prej tyre jep një pjesë artistike nga vetja për t’ia dhuruar publikut.

Kush është Nausicca Policicchio për publikun shqiptar?
E kam nisur karrierën si një balerinë, kam kërcyer në shumë skena të teatrove të Venecias, Xhenovas dhe në shumë spektakle për RAI-n. Në të njëjtën kohë kam studiuar për kanto dhe kam fituar konkursin “Battistini”, dhe fill pas këtij konkursi kam debutuar rolin e Lejdi Makbethit të Verdit, me regji të Franka Valerit, një aktore shumë e famshme e kinemasë dhe teatrit në Itali. Kam nisur karrierën si një soprano dramatike e shtyrë dhe kam debutuar në shumë role si “Toska”, “Trovatore”, “Forca del destino” dhe shumë role të tjera si “Nabuco” dhe “Madam Butterfly” që është regjistruar nga RAI Internacional. Gjithashtu kam përballuar repertorin gjerman me Vagner dhe Shtraus. Në fakt, përpara se të vija në Shqipëri kam përballuar rolin në pjesën Vagner dhe Shtraus për të kujtuar 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Ky eveniment u organizua nga komuna e Romës. Ka qenë diçka interesante sepse është hapur muzeu i paqes dhe ky koncert është hapur një muaj përpara vetëm për faktin sepse unë duhet të debutoja në Tiranë rolin Salome.

Si e prite ftesën për të debutuar në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit?
Jam shumë e stimuluar dhe tepër kureshtare për të ardhur në skenën shqiptare dhe për të luajtur një rol kaq të madh, siç është ajo e Salomesë, sepse është hera e parë që unë vij në Tiranë, ku kam gjetur një ambient shumë stimulues, sepse kjo eksperiencë këtu ka një ndërthurje kulturash dhe përvojash të ndryshme nga vende të ndryshme të Europës. Është shumë interesant ky shkëmbim kulturash, sepse duke filluar që nga regjisorja Patrizia Panton, e cila është frymëzuar shumë nga kjo pjesë për faktin se është një dramë e shkruar nga Oscar Wilde dhe po ndërton të gjithë karakteret e shfaqjes, sikur të ishte një pjesë proze. Më tej kemi dhe mjeshtrin koncertues Nicola Colabianchi, që është dhe drejtor Artistik i Operas së Romës, dhe me një skenografi nga Platon Bardhi, i cili ka arritur të evokojë botën antike ku zhvillohet ngjarja në një dritë moderne që ka rëndësi për veprën e Shtrausit, “Salome”. Ambienti ka shumë rëndësi për ne, pasi duhet të jetë me një shije antike dhe po me një optikë moderne. Jam shumë e kënaqur që kam bashkëpunuar me Roy Stevens në rolin e tenorit, që vjen nga Kalifornia dhe me baritonin Thomas Gazheli, që vjen nga Gjermania, ku çdo person ka sjell pjesën dhe zemrën e vendit ku jeton. Kemi dhe tenorin serb, Aleksandar Dojkoviç dhe mjaft interesant është bashkëpunimi me sopranot shqiptare dopio kasko si Sonila Baboçi dhe zonjën Edit Mihali, që për pikëpamjen time është shumë elegante për rolin e Herodias. Gjithashtu falënderoj shumë maestro Zhani Cikon që arriti të ndërtojë dhe të harmonizojë këtë ndërthurje këngëtarësh.

Sa i vështirë është roli i Salomesë për ty?
Ky është roli më i vështirë që është shkruar ndonjëherë për një soprano. Kështu që normalisht është i vështirë dhe për mua, vetëm një i çmendur mund të thoshte se është një rol i lehtë. Shumë soprano kanë refuzuar ta interpretojnë këtë rol për vështirësinë që ka, sepse Shtrausi nuk preokupohej se kush do ta këndonte këtë rol, si kompozitorët e tjerë që e shkruanin rolin në bazë të këngëtarëve që kishin, po si e këndonte, sepse zëri ngelet vetëm një instrument, sepse ai personazh duhet të luftohej me teknikën vokale. Kjo kontradiktohet nga vokaliteti që ka një soprano dramatike që punon më tepër në legato.

Më lart u shprehët se ky bashkëpunim është i arrirë. Si e pritët ju?
Ky është nja nga fatet që ka puna jonë, që të bashkëpunosh me të tjerë, por të them të vërtetën nuk e prisja kurrë të gjeja një ambient kaq harmonik dhe të mrekullueshëm. Mendoj se do të kem shumë emocion për shfaqjen, pasi çdo publik është një emocion në vete.

Duke u kthyer në fillim, si e shikon transformimin nga balerinë në soprano?
Thellë brenda meje, një pjesë e imja mbetet gjithmonë balerinë, edhe kur këndoj, pasi artisti ka shumë shpirtra të ndryshëm. Dua të them që të këndosh Salomenë për mua është sikur të shprehem me dy pasionet, shpirtrat e mi që kam gjithmonë. Më vjen shumë mirë, pasi koreografia është ndërtuar posaçërisht për këtë produksion nga koreografi Denys Ganio, i cili ka qenë një ndër yjet e baletit në botë dhe ka punuar me një nga të mëdhenjtë si Roland Petit, ka vallëzuar me shumë nga “Prima donat” e skenës së baletit botëror dhe për mua ka qenë një nder i madh që ka ndërtuar këtë koreografi posaçërisht, jam shumë kurioze dhe jam në ankth për pritjen që do më ofrojë publiku i Tiranës. Sepse është e lehtë që të luash këtë pjesë baleti dhe të biesh në vulgaritet, sepse shqetësimi i vetëm i koreografit Ganio është që di ta ndërtoj diçka jo shumë vulgare, por me një shije të hollë chic, shpresoj që publiku i Tiranës të bijë dakord me këtë mendim që ka pasur dhe ta shijoj atë.

Veç pasionit si soprano, cilat janë pasionet e tjera tuajat?
Do të them që muzika më merr shumë kohë, por pasionet e mia janë të shumta, por letërsia më pëlqen shumë. Të lexuarit për mua është një pasion i veçantë dhe më pëlqen shumë, përpara se të interpretoja Salomenë lexoja Oscar Wilde, Shekspir, Boddler dhe më pëlqen letërsia franceze.

Cili rol ka lënë gjurmë në karrierën tënde profesionale?
Është vërtet një pyetje e vështirë, sepse kam pasur fatin të bëj shumë role të rëndësishme, ndoshta një rol është ai “Manola” e Puçinit, ku në të vërtetë përfaqëson femrën në kompleksin e saj dhe dobësitë e saj. Ky rol përfaqëson të gjitha femrat, duke filluar nga mbretëresha e Gjenevës deri në ditët e sotme, duke përfaqësuar komplekset e këtyre femrave, por dhe dobësitë që ata kanë.

Jeta e Nausicca-s...
Kam lindur në një familje muzikantësh joprofesionistë. Babai im ka qenë profesor i Filologjisë Klasike dhe i Latinishtes, dhe ka qenë shumë i shqetësuar për këtë pasion timin për botën e muzikës. Në fakt ai më ka ushqyer kulturë dhe dashuri për teatrin grek. Ndërsa mamaja ime e donte shumë teatrin dhe ka punuar si regjisore për spektakle për të rinj, kështu që, që e vogël më ka shtyrë të ngjitem në skenë dhe kështu filloi.

Si e shikojmë Nausicca-n në një të ardhme?
Impenjimet e tjera pas këtij produksioni të Salomesë në Tiranë do të marrë pjesën në shfaqjen “Nabuco” të Vagner-it në Teatrin e Rigës dhe më pas “Durantovas” në Xhenova. Kam në plan të luaj “Aida”-n e Verdit në Kajro dhe disa pjesëmarrje në Amerikë.

16 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›