”Vodafone Albania”, në mbështetje të sezonit koncertor ndërkombëtar “Klasik”, organizon koncertin e radhës me Zviben-Guralumi
Kompania e telefonisë celulare “Vodafone Albania” është sërish pranë artit dhe dashamirësve të saj, kësaj here duke ofruar mbështetje dhe suport për Edicionin e 10-të të sezonit koncertor ndërkombëtar ”Klasik”. Si një vazhdim i projektit ”Allegreto Albania”, stina koncertore ”Klasik” komunikon vlerat universale të muzikës duke synuar t’i ofrojë artdashësve shqiptarë interpretimet më të mira të artistëve të ndryshëm, ndër më të shquarit, nga vendi dhe bota. Me larminë e zhanreve të ndryshme të muzikës, stina koncertore ”Klasik” udhëton për të pasuruar jetën artistike në vend jo vetëm në Tiranë, por dhe në qytete të tjera të vendit, si Durrës, Shkodër, Fier, Korçë. Në kuadër të këtij projekti, të enjten, datë 12 nëntor, në sallën e Akademisë së Arteve u shfaq koncerti duo i pianistes kroate Tamara Jurkic Sviben dhe violinçelistit shqiptar Pjetër Guralumi. Dyshja luajti pjesë të njohura të shekullit XX. Në veçanti kompozime të Ziga Hirschler, Bashkim Shehut, Bozidar Kunc, Gaspar Cassado dhe Dmitrij Schostakovich. Artdashësit shqiptarë patën mundësinë të dëgjojnë 2 emra shumë të talentuar, të cilët u kanë dhënë jo pak vendeve të tyre të origjinës; Pjetër Guralumi si ekzekutues i 40 veprave të autorëve shqiptarë dhe mëse 20 autorëve të huaj në skenat shqiptare dhe Tamara Sviben, e njohur për studimet e saj krahasuese mbi kompozitorët amerikanë dhe kroatë të fillimshekullit XX. Koncerti u duartrokit gjatë nga publiku artdashës kryeqytetas. Kështu, në mbështetje të këtij sezoni prestigjioz koncertesh, me ritme nga ato klasike e deri te danci kontemporan, Vodafone Albania shpreh sërish vëmendjen dhe mbështetjen e saj ndaj artit, kulturës dhe muzikës në vend.
16 Nentor 2009