E Diel, 1 Nëntor 2026

Nawal El Saadawi, radikalja nga Egjipti

Ka kaluar burgun, mërgimin. Ka përballuar kërcënimin e jetës dhe ka luftuar kundër shtypjes së gruas. Pavarësisht se është në moshë të shkuar, shkrimtarja nuk ka ndër mend që të tërhiqet

“Me kalimin e moshës jam bërë më radikale. Kam vënë re se shkrimtarët, kur janë të moshuar, bëhen më të butë dhe më tolerantë, por me mua po ndodh e kundërta. Mosha po më bën shumë më nevrike”, thotë Nawal El Saadawi. Nuk është një pohim që ajo e bën me shumë dëshirë, por ja që ajo e ndjen se është e vërtetë. është shumë e vështirë që të imagjinosh se si El Saadawi, shkrimtarja e famshme, aktivistja e palodhur e të drejtave të grave dhe një nga figurat e feminizmit të brezit të saj, tashmë është shndërruar në një radikale. Megjithatë, nuk mund të thuash se nuk ka qenë rebele, madje shumë. Tashmë, në moshën 79-vjeçare, koka e saj rrethohet nga një kurorë flokësh të bardhë. “Kam dashur gjithmonë që të jetoj gjatë, pa pasur kurrë frikë nga transformimi i plakjes që pëson trupi”. Pamja e saj, dhe mbi të gjitha përvoja e jashtëzakonshme jetësore që ka, e bëjnë një grua shumë interesante. Ajo është një mjeke në profesion dhe për një kohë të gjatë ka dhënë leksione psikiatrie në universitet. Ndërkohë ka publikuar 50 romane, drama dhe tregime të shkurtra. Puna e saj kryesisht është sjellë rreth problemeve të gruas në Egjipt dhe në të gjithë botën. Gjithmonë veprat e saj kanë qenë shumë të diskutuara, të debatuara dhe kanë ngjallur edhe kundërshti. E pavarësisht kësaj, ajo ka trajtuar gjithmonë tema me “spec”, tabu për të cilat askush më parë nuk ka dashur që të flasë apo të shkruajë, të tilla si prostitucioni, dhuna në familje dhe fundamentalizmi islamik. Por i gjithë ky guxim ka pasur një kosto të jashtëzakonshme. Në vitin 1972, libri i saj, “Gratë dhe seksi”, në të cilin ajo kritikon të gjitha dhunimet seksuale që u bëhen grave në vendet myslimane, bëri që ajo të humbiste vendin e punës si drejtoreshë e përgjithshme e Drejtorisë së Shëndetit Publik në Egjipt. Në vitin 1981, mendimet e saj politike, që i shprehu hapur kundër qeverisë, e çuan drejt e në qelitë e burgut për tre muaj. Por këtë kohë ajo e shfrytëzoi për të shkruar “Kujtime nga burgu i grave” dhe këto kujtime i hodhi për herë të parë në letrën e tualetit. Në vitin 1993 shkoi në Shtetet e Bashkuara, pasi u përball në vendin e saj me kërcënime për jetën nga ana e disa grupeve fetare. Por për asnjë çast nuk e ndali punën dhe të shkruarit. Kështu shkroi disa pjesë teatrale me temë fetare dhe filozofike. Por ato ishin punë aq të rrezikshme për t’u botuar në vendet arabe, sa botuesi, edhe pse i shtypi fillimisht në një libër, vendosi që fillimisht të mos i shpërndante. Ajo ka qenë vazhdimisht shumë kritike ndaj fesë në përgjithësi, kryesisht për sa i përket qëndrimit që feja mban ndaj gruas. Kjo kundërshti e ka çuar jo rrallë herë në dyert e gjykatave dhe janë bërë vazhdimisht tentativa për ta zhveshur nga nënshtetësia egjiptiane. E megjithatë, në fund të një jete të jetuar me shumë guxim, ajo thotë: “Gjithçka ia ka vlejtur. Nëse do të më kërkohej që ta jetoja jetën sërish, do të kisha bërë vazhdimisht të njëjtat zgjedhje. Gjatë gjithë rrugëtimit tim e kam ndjerë që, pavarësisht vështirësive dhe situatave të rrezikshme, kam qenë në rrugë të mbarë”. Energjia e saj, sipas fjalëve të vetë shkrimtares, vjen kryesisht nga 10-15 letrat që merr çdo ditë nga njerëz të ndryshëm, të cilët i janë mirënjohës për ndryshimet që vepra e saj ka sjellë në jetët e tyre. “Kur isha në Kajro, më erdhi një ditë në shtëpi një burrë i ri, së bashku me nusen. Ai më tha se donte të më prezantonte bashkëshorten, jeta e së cilës kishte ndryshuar kur ai kishte lexuar librat e mi, sepse në fund e kishte kuptuar se edhe për mashkullin është shumë më mirë kur gruaja e tij është një grua e lirë dhe jo një skllave”.

“Unë jam një shkrimtare në radhë të parë, një shkrimtare, në radhë të dytë dhe një shkrimtare në radhë të tretë”, thotë egjiptiania. Dhe ndërkaq, fija që bën bashkë të gjithë krijimtarinë e saj është “feminizmi”. “Për mua feminizmi përfshin gjithçka. është drejtësi shoqërore, drejtësi politike, drejtësi ligjore e seksuale. është lidhja mes letërsisë, mjekësisë, politikës, ekonomisë, historisë e filozofisë”. Ajo thotë se ka qenë feministe që në fillim të jetës. “Gjatë gjithë jetës kam qenë nga ata njerëz që kanë notuar kundër rrymës”. Ndërkohë, vëllezërit dhe motrat e saj kanë qenë krejtësisht ndryshe. “Disa nga motrat e mia mbajnë shami në kokë dhe më quajnë një radikale të çmendur. Ato më duan, por për shkak të qëndrimeve dhe rrugëve të ndryshme që kemi zgjedhur në jetë, takohemi shumë rrallë”.

Në autobiografinë e parë, “Humbja e bijës”, ajo tregon tmerrin që provoi kur e kuptoi që në një botë si të sajën, bijat vajza nuk priteshin njësoj siç priteshin bijtë meshkuj. Në të njëjtin libër ajo flet edhe për të ashtuquajturin “synet të vajzave”, që aplikohet edhe sot e kësaj dite në shumë vende arabe e islamike, kryesisht në Afrikë. “është një nga persekutimet e para barbare që i bëhet qenies femërore që në fillim të jetës. Dhe gjithçka bëhet në mënyrë artizanale dhe shpesh kjo ndërhyrje në organizmin femëror shkakton vuajtje të mëdha. Në vendin e saj, në Egjipt, ajo bëri një fushatë 50-vjeçare për ta ndaluar. Më në fund, dy vjet më parë doli një ligj që e ndalonte pjesërisht këtë veprimtari. Pas ndërhyrjes, atë donin që ta martonin që 14 vjeç, por ajo kundërshtoi aq fort, sa prindërit u zmbrapsën. Dëshira e saj për të studiuar ka qenë gjithmonë shumë e madhe dhe prindërit arritën që të bindeshin për ta lënë të vazhdonte me studimet e larta. Ajo vetë beson se pikëpamjet e saj radikale u formëzuan pjesërisht kur ajo studionte mjekësi, megjithatë e di se një pjesë e paraardhëseve të saj femra kanë pasur një gen rebeleje. Në shkollën e mjekësisë ra në dashuri me një student. Ata u martuan dhe sollën në jetë një vajzë, por u divorcuan shpejt. Më pas ajo u martua me një jurist, i cili e vuri përballë një zgjedhjeje shumë të vështirë: mes dashurisë për të dhe të shkruarit. Por edhe me juristin u nda, pas një periudhe relativisht të shkurtër. Për 45 vitet e fundit të jetës ka qenë e martuar me një shkrimtar-mjek, ish i burgosur politik, me të cilin solli në jetë një djalë. Tashmë, e bija ka kohë që ka ndjekur gjurmët e së ëmës, duke u bërë shkrimtare.
Vetë Nawal El Saadawi është e lumtur që ka kaluar një jetë të tillë të vështirë, por edhe me shumë kuptim, gjatë së cilës ajo e ka ndjerë se ka qenë në rrugën e saj.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›