E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ervin Begaj, kampioni i sportit të Kung-Fu në Greqi

Nga Enrik Mehmeti
 

VLORË - Eshtë i apasionuar pas arteve marciale. Kampioni shqiptar i Kung-Fu në Greqi, Ervin Begaj është rikthyer përfundimisht së bashku me familjen e tij, me dëshirën e madhe për të përhapur dhe kultivuar këtë lloj sporti në Shqipëri. Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", 31-vjeçari nga Vlora, i cili ka fituar një sërë çmimesh e kampionatesh në vendin fqinj, është shprehur se do të hapë dy palestra të sportit të Kung-Fu; përkatësisht një në qytetin e tij të lindjes, në Vlorë, dhe një tjetër në Tiranë. Ndërkohë, Begaj tregon se si u largua ilegalisht në Greqi dhe gjatë 13 viteve të qëndrimit në këtë vend arriti të dallohej mes shumë sportistësh që ushtrojnë artet marciale. Ai thotë se braktisi karrierën e tij në shtetin fqinj, pasi vetëm në Shqipëri ndihet vetvetja. Në banesën e tij vë re foto të shumta, mjete që përdoren në sportin e Kung-Fu, si dhe certifikata e medalje që ka fituar në kampionatet e organizuara në Greqi.
Pas 13 vjet qëndrimi në Greqi jeni rikthyer në Shqipëri. Cilat janë arsyet që ju rikthyen në vendlindje?
Kam katër muaj që jam rikthyer në Shqipëri së bashku me familjen time. Nuk mendoj të kthehem sërish në Greqi, pasi jam shumë i lidhur me vendin tim, me gjuhën dhe kulturën e tij. Më pëlqen jetesa këtu, pavarësisht se është e vështirë të bësh karrierë dhe vështirësive të tjera. Në Shqipëri ndjehem vetvetja, ndaj u largova përfundimisht nga Greqia. Qëllimi im është të hap dy palestra të Kung-Fu, ky një nga llojet e sportit që bëjnë pjesë tek artet marciale. Këto janë arsyet kryesore që më shtynë të braktisja gjithçka; karrierën, jetesën si dhe shumë aspekte pozitive apo negative në Greqi.
Si jeni njohur me sportin Kung-Fun dhe sa e vështirë ka qenë për një shqiptar të ngjitej në kampionatet e shtetit fqinj?
Para se të nisesha për në Greqi, më kanë tërhequr gjithmonë sportet që lidheshin me sfidat. Para se të ikja në emigracion, praktikoja boksin në mënyrë primitive në Vlorë, si me thasë rëre dhe doreza boksi të sajuara. Pas mbërritjes në Greqi, edhe pse pa dokumente, arrita të regjistrohesha në një palestër Kick Boksi. Në një kohë të shkurtër arrita të merrja rezultate pozitive, por pavarësisht këtyre rezultateve, prejardhja bënte që drejtuesit e palestrës të mos më angazhonin shumë në ndeshjet kryesore. Unë nuk u demoralizova, por vazhdova stërvitjen së bashku me disa shqiptarë të tjerë. Pas tre vjetësh stërvitje intensive, një mjeshtër grek i Kung-Fu me emrin Janis Spiridhaqis, më bëri një ftesë në palestrën e tij. Nuk ngurova, e pranova pa asnjë hezitim ftesën e grekut. Çdo gjë ishte e mrekullueshme, që nga cokat apo mjetet e tjera të Kung-Fu dhe deri te stilet, të cilat ishin të shumta. Jo pas shumë kohësh nisa ta frekuentoja palestrën dhe pak nga pak fillova të arrija rezultate pozitive në këtë lloj sporti. Ndryshe nga Kick Boksi, në kampionatet që zhvilloheshin në Greqi nuk kishte paragjykime mbi prejardhjen nëse ishe shqiptar apo jo. Ai që ishte i aftë, fitonte; ai që nuk ishte i aftë, skualifikohej. Një dallim me Kick-Boksin, i cili kërkonte më shumë forcë dhe më pak stile, Kung-Fu është i bazuar kryesisht te stilet apo teknika. Kështu që prej 10 vjetësh, arrita që të kryesoj në shumë kampionate në vendin fqinj.
Sa i përhapur është sporti i Kung-Fu në Shqipëri?
Në Greqi kam njohur shumë shqiptarë që e praktikojnë këtë lloj sporti. Disa prej tyre kanë shprehur dëshirën që të bëhen pjesë e projektit tim për hapjen e shkollave të Kung-Fu në Shqipëri. Me sa kam parë, artet marciale në Shqipëri nuk janë shumë të përhapura. Unë synoj që të përhap sportin e Kung-Fu në vendin tonë dhe të organizoj një kampionat të mirëfilltë. Drejtuesit e këtij lloji arti marcial më kanë dhënë dhe aprovimin së bashku me certifikatën dhe të drejtën për të ushtruar këtë sport edhe në Shqipëri.
Çfarë përfitojnë të rinjtë e apasionuar pas sportit të Kung-Fu?
Përveçse një trup të shëndetshëm, ata përfitojnë dhe një shumëllojshmëri taktikash vetëmbrojtëse. Madje në palestrën ku unë kam mësuar për 10 vjet me radhë në Greqi, numri i femrave që ushtrojnë këtë lloj sporti ishte shumë i madh dhe taktikat vetëmbrojtëse u kanë hyrë shumë në punë.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›