Ndahen Lëvizjet
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lëvizja për Bashkim pritet t’i ndajnë rrugët e tyre.
LB-ja ka garuar në zgjedhjet e fundit bashkë me Listën e Lëvizjes Vetëvendosje, derisa kanë arritur të sigurojnë së bashku 14 deputetë.
Por sipas kreut të saj, Avni Klinaku, dy subjektet në Kuvendin e Kosovës do të operojnë ndaras.
“Nuk i kemi përfunduar akoma bisedat, por së shpejti ajo brenda kësaj jave kryhet. Në një grup parlamentar nuk do të jemi 99 për qind, por do të shohim mundësitë e bashkëpunimit”, ka thënë Klinaku të mërkurën për Express.
Agim Kuleta dhe Aurora Bakalli janë dy deputetët nga radhët e Lëvizjes për Bashkim.
Arsyeja që ata do të “shkëputen” nga koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje, sipas Klinakut, ka të bëjë me pikëpamjet politike.
“Kjo ka të bëjë me pavarësinë e organizatave , me pikëpamjet politike, programore me vizionin kah po merr rrugë Kosova”, ka thënë Klinaku.
Pas largimit të dy deputetëve, Vetëvendosja do të ketë 12 ulëse në Parlamentin e Kosovës.
Klinaku ka mohuar mundësinë se ky hap i LB’së ka të bëjë me mundësinë që ky subjekt të përfshihet në Qeverinë e ardhshme.
“Nuk ka të bëjë me Qeverinë fare kjo”, ka thënë Klinaku.
Klinaku ishte ankuar në PZAP ndaj komisionerëve të Vetëvendosjes gjatë procesit zgjedhor.
Por tani ai është pajtuar me faktin që nuk do të jetë deputet.
“Po, po, jam pajtuar, gjyqi është mbi të tana”, ka thënë ai.
Edhe javën e kaluar, Avni Klinaku, po ashtu ka mohuar se është duke zhvilluar negociata me PDK’në lidhur me koalicionin e ardhshëm qeveritar.
“Sa i përket koalicionit të mundshëm qeveritar, Lëvizja për Bashkim do t’i përmbahet qëndrimit
të mëhershëm se nuk do të bëjë koalicion me ata që janë përgjegjës për situatën e rëndë
në të cilën ndodhet Kosova dhe qytetarët e saj”, ka thënë Klinaku. Lëvizja për Bashkim ka pasur marrëveshje me Vetëvendosjen vetëm për të garuar së basku në
zgjedhje.
Rrugëtimi i mëtejmë i përbashkët varet nga debati mes dy subjekteve për çështje rreth privatizimit, bisedimeve me Serbinë, çështjessë veriut, Preshevës, Bujanocit, Medvexhes, etj.