E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti mblidhet më 24 shkurt

U.D. i Presidentit Jakup Krasniqi tha se në rrethanat aktuale është e pamundur të krijohet Qeveria e re para përvjetorit të tretë të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Nga Express më 10 shkurt 2011 në ora 12:30

(E plotësuar) Përfaqësuesit e partive politike, në takimin e mbajtur me Ushtruesin e Detyrës së Presidentit Jakup Krasniqin, kanë caktuar 24 shkurtin si datë për konstituimin e Parlamentit të ri.

Kështu janë shuar gjasat për krijimin e Qeverisë së re në përvjetorin e tretë të Pavarësisë së Kosovës.

“Rrethanat aktuale politike nuk e mundësojnë krijimin e institucioneve deri më 17 Shkurt”, ka deklaruar Krasniqi, pas takimit.

Krasniqi takohet me përfaqësuesit e partive

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi pret sot në një takim përfaqësuesit e subjekteve politike, të cilat kanë fituar ulëse në parlament, nga zgjedhjet e përgjithshme të 12 dhjetorit.

Zyrtarë të Presidencës kanë thënë dje për Kosovapress se në këtë mbledhje, përveç datës së seancës konstituive, mund të bisedohet edhe për mënyrën e mandatimit të kryeministrit.

Me Kushtetutën e Kosovës dhe Rregullorën e Punës së Kuvendit parashihet që presidenti i Kosovës e thërret seancën e parë të Kuvendit më së largu 30 ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Në këtë seancë, sipas Neni 95 të Kushtetutës së Kosovës, presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.

Ndërkaq kandidati për kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›