Reduktime të ashpra të energjisë elektrike
Reduktimet e stërzgjatura të energjisë elektrike përveç tjerash po çrregullojnë edhe funksionimin e shërbimeve civile nëpër zyrat e vendit në komunën e Skenderajt.
Qytetarë nga Bashkësia Lokale e Likocit janë ankuar se në mungesë të rrymës, ofiqarët nuk kanë mundur të kryejnë punët e tyre, andaj ata ose është dashur të vijnë një ditë tjetër ose të paguajnë nga xhepi lëndën djegëse për vënien në funksion të gjeneratorit.
"Në zyrën e vendit në Rezallë nuk kishte rrymë për të punuar kompjuterët. Ofiqarët na thanë se ose duhet të pritni derisa të vjen rryma, ose duhet ta siguroni vetë benzinën për ta lëshuar gjeneratorin se na nuk kemi benzinë”, ka thënë një qytetar i asaj ane, i cili nuk ka dashur t’i përmendet emri.
Ai mandej ka treguar se në mes të dy të këqijave: ose të vij edhe një herë nga fshati i tij 6-7 km larg, ose të paguajë benzinën, ai ishte përcaktuar për këtë të dytën.
Këtë gjendje faktike e ka pranuar edhe ofiqari i kësaj zyre, Ramë Beka, sipas të cilit komuna jo rregullisht dhe me sasi të vogla furnizon me benzinë këtë zyrë.
“Jemi të shtrënguar që palët, të cilët janë për nguti t’ju propozojnë edhe këtë zgjidhje aspak të lakmueshme”, ka thënë ai.
Punëtorët e zyrës së vendit në Rezallë kanë treguar se deri në fund të nëntorit zyra e tyre nuk ka pasur as gjenerator.
Ndërkaq, drejtori i Administratës Komunale, Lulzim Kadriu ka thënë të mos ketë njohuri për raste të tilla të cilat i ka quajtur të palejueshme.
“Unë nuk jam në dijeni për raste të tilla të cilat janë plotësisht të papranuara”, ka thënë ai.
Drejtori ka mohuar edhe akuzat se zyrat e vendit nuk furnizohen rregullisht me lëndë djegëse.
“Ne ju dërgojmë karburante sipas kërkesave të tyre, por jo edhe në sasi të pakontrolluara, pasi ato edhe mund të keqpërdoren. Do të shikoj a ka pasur ndonjë kërkesë për furnizim dhe nëse po pse ajo nuk është realizuar, dhe do të marrë masa ndaj fajtorëve”, ka thënë i pari i administratës komunale, duke shprehur keqardhje për rastet e tilla. (Kosovapress)