Ndahen çmimet e Gazetarisë Kulturore “Teodor Keko 2010”
Gazetaria Kulturore për herë të parë vlerësohet me çmim, që është pagëzuar me emrin e publicistit Teodor Keko. Për herë të parë Ministria e Kulturës i dha Çmimin Kombëtar të Gazetarisë Kulturore tre gazetarëve. Ceremonia e ndarjes së çmimeve u zhvillua ku ishin të ftuar gazetarë, aktorë, artistë dhe miq të Teodor Kekos. U nderuan me çmimin kombëtar të gazetarisë kulturore Fatos Baxhaku, Ben Andoni dhe Pandi Laço. Gazetari Fatos Baxhaku për realizimet cilësore në ciklet televizive të telereportazheve dhe dokumentarëve të transmetuara nga Televizioni Kombëtar Top Channel, që zbulojnë dhe evidentojnë vlera autentike etno - muzeale dhe kulturore shqiptare. Gazetari i Revistës MAPO, Ben Andoni, për kontributin në lëvrimin e gazetarisë së shkruar kulturore dhe paraqitjen para lexuesit shqiptar të profileve dhe personaliteteve të kulturës kombëtare. Dhe në fund ideatori Pandi Laço, për spektaklin televiziv “100 Këngët e Shekullit”, transmetuar nga Televizioni Kombëtar Klan, për evidentim të pasurisë etno-kulturore, muzikale, për cilësinë e lartë të moderimit televiziv dhe vlerat e komunikimit me audiencën. Për gazetarin Fatos Baxhaku çmimi ishte rezultat i gjithçkaje që i ka mësuar Teodor Keko, ndërsa gazetari Ben Andoni shprehet se çmimin e tij e ndan me çdo gazetar të kulturës. Ndërsa ministri Xhaferaj u shpreh ndër të tjera se motivi që i jep vlerë këtij rrugëtimi të saponisur është vetë Teodor Keko: “Është takimi i parë që nga 2 shtatori i vitit 2008, kohë kur Teodori mundi të mblidhte sërish miqtë në ditën kur do të përkujtohej 50-vjetori i lindjes së tij, ku si gjithmonë, si atëherë por edhe sot, takohemi pa menduar kurrë për largimin e tij, për të cilin nuk mbetet asnjëherë vend, as në mendimet e gjithsecilit nga ne, as në letërsi, as edhe në publicistikë. Pasi ai është gjithmonë aty në këndin e tij të përjetshëm të shkrimtarit, kolegut dhe mikut të përhershëm të gazetarëve. Kam besim se me kontributin e çdo gazetari në secilin nga zhanret që përmban kjo gjini, si edhe me vlerësimet e jurisë së ngritur për të dhënë trofetë e fituesve, ky çmim do të arrijë në lartësinë e emrit që e përfaqëson” - tha Xhaferaj.