Ndahen pesë çmime letrare

Rexhep Hoxha dhe Nazmi Rrahmani janë fitues të Çmimit Kombëtar për vepër jetësore “Azem Shkreli”, të cilin e ndan Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).
Në pajtim me nenin 3 e 21 të Rregullores për Çmimin Kombëtar Letrar “Azem Shkreli” dhe për çmimet vjetore letrare të MKRS-së dhe vendimit të jurisë së themeluar për ndarjen e këtyre çmimeve vjetore, ministri Valton Beqiri, mori vendim që për vitin kalendarik 2009, në pajtim me vendimin e datës 3 shkurt 2010 të jurisë në përbërje: Jusuf Buxhovi, Ibrahim Kadriu, Sali Bashota, Vehbi Miftari dhe Vjollca Dibra, të jepen pesë çmime letrare.
Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” i ndahet Rexhep Hoxhës dhe Nazmi Rrahmanit. Çmimi letrar për librin më të mirë të vitit 2010 në prozë i ndahet Gëzim Aliut, për romanin “Në klubin e të shëmtuarve”, çmimi letrar për librin më të mirë të vitit 2010 për poezi i ndahet Ag Apollonit për veprën “Zomb”.
Për veprën “Konvergjenca intelektuale”, Ibrahim Berishës i ndahet çmimi letrar për librin më të mirë të vitit 2010 për kritikë, eseistikë, ndërsa çmimi letrar për librin më të mirë 2010 për vepër të përkthyer i ndahet Bekim Bejtës, për veprën “Raga – afrim i kontinentit të padukshëm” nga Zhan-Mari Gystav le Klezio, të përkthyer nga gjuha frënge.
Përveç Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” dhe Çmimit letrar për librin më të mirë të vitit, me të cilët autorë të ndryshëm vendorë janë nderuar edhe gjatë viteve të shkuara, çmimet tjera letrare, të cilat janë themeluar kohë më parë nga MKRS, jepen për herë të parë.
Autorët dhe veprat që kanë fituar çmimet letrare dallohen për kontributin letrar në pasurimin e procesit kulturor-letrar gjate periudhës së përmendur, duke sjellë vizione origjinale artistike dhe vlera që dallohen për periudhën e përmendur.
Dorëzimi i çmimeve letrare do të bëhet në një ceremoni solemne, në prani të personaliteteve të kulturës sonë dhe të përfaqësuesve të institucioneve kulturore, artistike dhe shkencore, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e përvjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Kompensimi i laureatëve të çmimeve dhe jurisë profesionale do të bëhet në pajtim me kriteret e parapara në Rregulloren për ndarjen e çmimeve letrare të MKRS-së.