E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdon protesta e TKK-së

Janë të lodhur me problemin, janë të lodhur me mospërfilljen, e provuan edhe një mënyrë tjetër, atë të leximit të disa neneve nga ligji për teatër, ndoshta në një mënyrë për të kujtuar këtë ligj organeve kompetente.

“Nga organet kompetente nuk kërkojmë asgjë më shumë se sa të zbatohet ligji që është miratuar në vitin 2005”, është shprehur Mehmet Breznica, kryetar i Sindikatës së Pavarur të TKK-së.

Sindikata e Pavarur e TKK- së, bashkë me një numër të vogël artistësh, po vazhdon të protestojë për të tretën herë për problemin e tyre tashmë të njohur: ngritjen e pagave, punonjësve të Teatrit Kombëtar. Duke kërkuar nga organet kompetente, duke iu drejtuar kryeministrit Thaqi, e krye parlamentarit Krasniqi, që të mbahet një seancë në parlament lidhur me kërkesat e sindikatës. Mirëpo kjo gjë nuk ka ndodhur.

“Deri më tash çështja jonë ka hasur në vesh të shurdhët”, është shprehur Breznica.
Sipas Breznicës me paraqitjet e tyre në publik ata kanë sensibilizuar opinionin publik për problemin, por pasi që në protestë kishte një numër të vogël të mediave, kjo është një rezultat i sabotimit prej organeve kompetente.

Sipas tyre kjo protestë në një mënyrë apo tjetër është mbrojtje e kulturës Shqiptare, mbrojtje e identitetit Shqiptarë i cili është nëpërkëmbur.

Në mesin e artistëve që ishin pjesëmarrës në protestë prezent ishte edhe Enver Petrovci, i cili u shpreh se me të dëgjuar se po mbahet protestë në TKK menjëherë u është bashkangjitur atyre.

“Me kënaqësi u jam bashkangjitur kësaj proteste dhe jo për shkak interesit personal, por se me kombin shqiptar është duke ndodhur një akulturim i rrezikshëm”, shprehet Petrovci.

Megjithatë, kjo protestë shpalosi edhe probleme tjera kulturore të vendit.

“E kam thanë qe 5 vjet, që kultura shqiptare është duke e përjetuar një akulturim total, mirëpo ishalla s’po e bëjmë me vetëdije. Akulturimi po ndodh nga të gjitha anët, në TV, transmetohen art që është imitim por edhe serialet që po tingëllojnë shqip nuk janë shqip se janë gjuhë e rrugaçëve”, u shpreh Petrovci.

Breznica, bëri të ditur se nëse nuk do të hasin në mirëkuptim të kërkesave të tyre për rritjen e pagave, e edhe për krijimin e ansamblit rezident, ata në fund do të radikalizohen dhe do marshojnë si “Cezari mbi Romën”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›