E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkujtim historianit të njohur

05/02/2010  Injac Zamputti
Puna e tij ashtu si e shumë të tjerëve kaloi në heshtje. Për së gjalli nuk pati lavdërime, duartrokitje apo përkrahje. Tanimë, në 100-vjetorin e lindjes së Injac Zamputtit, kur historiani i njohur nuk jeton më, Akademia e Shkencave përpiqet të ridimensionojë figurën e tij. Një sesion përkujtimor është vendosur të mbahet më 12 shkurt në sallën e Akademisë së Shkencave, pikërisht në datën e lindjes së historianit.
Një përpjekje e tillë është ndërmarrë edhe dy vjet më parë nga historianë dhe gjuhëtarë, në 10-vjetorin e vdekjes së Zamputtit.
Në takimin e radhës pritet të referojnë akademikë dhe historianë, të cilët do të cilësojnë kontributin e Zamputtit në historinë mesjetare, në fillesat e gjuhës, në krijimtarinë letrare dhe në studimet kritike. Pas fjalës përshëndetëse të Beqir Metës, do të referojnë prof. dr. Seit Mancaku: “Injac Zamputti për fillesat e shkrimit të gjuhës shqipe”; prof. dr. Pëllumb Xhufi: “Kontributi i Injac Zamputtit në ndriçimin e historisë së Shqipërisë të shekujve XVI-XVII”; prof. dr. Luan Malltezi: “Injac Zamputti në fushën e dokumentacionit për historinë mesjetare të shqiptarëve”; prof. dr. Ferit Duka: “Historia osmane e shqiptarëve në optikën e Injac Zamputtit”; Behar Gjoka, studiues, shkrimtar: “Gjergj Fishta sipas Injac Zamputti”; Musa Vyshka, shkrimtar: “Vepra letrare e Injac Zamputtit”. Në fund të takimit do të përshëndesë edhe djali i historianit të njohur, Jozef Zamputti.
Dorëshkrimet
Ato dorëshkrime që la pa botuar gjenden sa në Shqipëri, në Itali. Vajza e tij, Maria, ruan vetëm disa shënime të vogla. Të tjerat gjenden në shtëpinë e tij në Tiranë, ndërsa ato dorëshkrime që mori me vete në Itali, ia la të birit, Jozefit. Mendohet që në këtë përvjetor lindjeje të historianit, familjarët do të nxjerrin nga arkivat dorëshkrime me interes për lexuesit. Dy vjet më parë u hodh ideja për botimin e plotë të veprës dhe u mendua që dorëshkrimet e Zamputtit të ndaheshin në disa vepra publicistike.
Kush ishte...
I lindur në Shkodër më 12 shkurt të 1910-s, nga një baba me origjinë italiane, ishte nxënës i Kolegjit Saverian të qytetit të lindjes. Pas shkollimit të mëtejshëm në Itali, veprimtarinë e nisi në lëmin kulturor, për të spikatur më vonë si historian. Njohës i italishtes dhe latinishtes mesjetare, mbi bazën e dokumenteve të ndryshme arkivore që i vinin nga Vatikani, zbardhi periudhën mesjetare. Bashkëkohës i Ernest Koliqit, Migjenit, Vinçens Prendushit, nxënës, shok e mik i At Zef Pllumit. Gjergj Fishta dhe Ndre Mjeda ndikuan shumë në formimin e tij në rininë e hershme.
Vuajti persekutimin e kohës së komunizmit, e megjithatë nuk e ndali asnjëherë punën e tij. Ishte ai, që nëpërmjet studimeve hodhi tezën për prejardhjen e gjuhës shqipe më herët se Gjon Buzuku në “Çështje të fillimit të gjuhës dhe letërsisë shqipe”, si dhe idenë se Pjetër Budi nuk u mbyt aksidentalisht.
Një nga publicistët e parë të “Hyllit të Dritës”, “Leka” dhe “Kambanat e së dielës”, është autor i dy dramave, “Guri i Rozafës” dhe “Damiani himarjot”. Si kritik ka shkruar “Ekskursion në veprat e Kadaresë” dhe “Gjergj Fishta, koha, jeta, vepra”.
Deri më 1995-ën, me gjithë punën e madhe shkencore, Zamputtit nuk iu dha asnjë titull. U vlerësua me dekoratën “Punonjës i Shquar i Shkencës dhe i Teknikës” për kontribut shumë të shquar në zhvillimin e shkencave albanologjike. U nda nga jeta në Tivoli të Italisë në vitin 1998. Eshtrat e tij prehen në Tiranë, sipas amanetit të vetë studiuesit.
“Labëria”, vlerësim tre personaliteteve
Një ceremoni e veçantë do të mbahet paraditen e sotme në sallën e Muzeut Historik Kombëtar nga Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria”. Në një takim mes miqsh, Shoqata “Labëria” dhe Qarku i Vlorës do të vlerësojnë tre personalitete për kontributin dhe punën e tyre. Pikërisht, “Mirënjohja e Labërisë” për Myslim Pashën dhe “Nderi i Qarkut të Vlorës” për Gafurr Dudajn dhe Kastriot Zotajn.
“Liljas” në ditën e të dashuruarve
Janë poezi, që i këndojnë “pavdekshmërisë së dashurisë”. Nuk ka rëndësi mosha, nuk ka rëndësi sistemi politik, nuk ka rëndësi madje as koha për dashurinë, sepse ajo njeh vetëm një ligj të saj, të pakrahasuar me të tjerë, përjetësinë. Mund të jenë disa ditë, disa muaj, disa vite, por dashuria është kujtimi më i pandashëm i yti, një nga çastet më sublime të jetës. Kjo dëshmohet qartazi në vëllimin poetik “Liljas” të poetit Miliano Stefa. Vargje të tëra të shkruara me pasion për Liljan, për vajzën e bukur të realitetit dhe ëndrrave, që e përndoqën gjatë gjithë jetës poetin, vijnë në vëllimin poetik që ka dalë në qarkullim me rastin e ditës së të dashuruarve.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›