Ndahet lokacioni për projektin më të madh në Gjakovë

Komuna e Gjakovës i ka hap rrugë, projekti më të madh që do të fillojë së ndërtuari në këtë komunë.
Asamblistë gjakovarë, në një seancë të jashtëzakonshme, kanë miratuar caktimin e lokacionit për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale për realizimin e projektit të riciklimit të mbeturinave dhe ngritjes së termocentralit për prodhimin e energjisë termike dhe elektrike, i cili planifikohet të realizohet sipas projektit të kompanisë TCG GREEN ENERGY- zyra në Prishtinë, e cila është mbështetëse financiare dhe mbikqyrëse e realizimit të këtij projekti.
Nga kryetari i komunës, Pal Lekaj, janë dhënë sqarime rreth këtij projekti kapital investiv ku do të investohen 143 milion dollarë ndërkohë që projekti, gurthemeli i së cilës do ti vihet me datë 19.12.2012, është përcaktuar që të përfundojë brenda 18 muajve. Me këtë investim është paraparë të punësohen minimum 187 dhe maksimum 385 punëtorë.
Nga Drejtoria për Urbanizëm janë dhënë detaje rreth sipërfaqes së kërkuar nga kompania investuese dhe mundësive aktuale të pronës që disponon komuna. Me këtë ka rezultuar se në lagjen “Kolonia” aktualisht në dispozicion të komunës janë 77 ari hapësirë ndërsa hapësira tjetër e mbetur sipas kërkesës së investuesve për tre ari hapësirë do ti bashkëngjitet kësaj hapësire me shpalljen e interesit të përgjithshëm, hapësira këto që janë në dispozicion të “Erenikut”.
Nga këshilltarët komunal është mirëpritur ky investim dhe është votuar në favor të këtij projekti./Indeksonline/