Liderët e PDK-së injorojnë degën në Malishevë

Kuvendi i katërt zgjedhor në degën e PDK-së në Malishevë është injoruar nga figurat qendrore të kësaj partie. Askush nga zyrtarët më të lartë të PDK-së nuk u pa në sallën ku po mbahej ky kuvend zgjedhor, derisa të pranishëm ishin vetëm pak deputetë të kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, si dhe koordinatori për zgjedhjet brenda partiake, Basri Musmurati, informon KTV-ja.
Injorim i këtij kuvendi nga krerët më të lartë të PDK-së vjen vetëm pak ditë pas asaj që kryeministri Thaçi e kishte thënë në bisedat e përgjuara nga EULEX-i, ku qytetarët e kësaj komune i quajti “zagarë”.
Të pranishmit nuk e përmendën fare këtë fakt, por e hapën Kuvendin zgjedhor me miratimin e një deklarate të përbashkët me delegatët e partisë, me anë të së cilës shprehin edhe njëherë bindjen për pafajësinë e Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij, të cilët ndodhen në paraburgim për rastin “Kleçka”.
Koordinatori i zgjedhjeve në PDK, Basri Musmurati tha se ky kuvend nuk e ka jehonën e tij, pasi aty mungon Fatmir Limaj. Ky kuvend do të zgjedhë kryetarin, kryesinë dhe organet e tjera drejtuese të partisë./Indeksonline/