Ndahet nga jeta aktori Muhamet Sherri
Një nga aktorët e njohur fierakë, me shumë role në skenë dhe në film, Muhamet Sherri, u nda nga jeta në moshën 63-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë. Aktori i teatrit “Bylis” ka luajtur 62 role në teatër dhe 15 në filma. Dy muaj më parë Sherri u dekorua nga Presidenti i Republikës me urdhrin “Naim Frashëri i Artë”. "Ai na la një boshllëk të madh dhe një mal me kujtime të bukura për arritjet e tij artistike dhe për aktivitetin e madh që ka bërë në artin e fushës së skenës dhe ekranit", u shpreh regjisori dhe publicisti Pëllumb Kulla. “Aktorët do ta mbajnë mend si një shok të mirë që u ndodhej gjithmonë pranë, ndërsa spektatori do ta kujtoj si një aktor të dashur që e mbushte sallën dhe ekranin me emocion. Ka ardhur në teatër në vitin 1973 dhe së bashku kemi luajtur në dramën ”Heronjtë e Linasit” të Sulejman Pitarkës, ku Sherri u shqua për një interpretim artistik të shkëlqyer” ”-tha aktori i mirënjohur i humorit Shpëtim Shehu. Aktori Muhamet Sherri është lindur në qytetin e Fierit më 1948. Pasi përfundoi Institutin e Lartë të Arteve në degën e dramaturgjisë, në vitin 1973 u emërua në trupën e teatrit “Bylis” në qytetin e lindjes.Rolet më të spikatura të tij janë te: “Brazda”,”Gjeneral Gramafoni”,”Udha e shkronjave”,”Gjëmimi i atij dimri” etj.